Lulzim Basha: Berisha përjashtohet nga PD
“Ka sot, kriminelë që i kemi pasur përballë me armë e me para, të cilët i gjen në foltoret e Sali Berishës”.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta mbi ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha, dhe aksionit të pretenduar prej tij si “statutor”, për të rrëzuar Bashën nga drejtimi i PD-së dhe për t’u rikthyer vetë në krye të saj.
Sipas Bashës, beteja e tij personale nuk është me Berishën, por është beteja për të ardhmen e Shqipërisë.
“Sulmi i Berishës nuk i shërben PD-së. Sulmet ndaj meje, zbulojnë që për interesat personalë, po mbivendos betejën e demokratëve. Kemi tre komisione, denoncime të përditshme. Demokratët presin që vendi të kthehet në shinat e demokracisë. Berisha po e dëmton PD-në”, tha Basha.
Mbi Kuvendin Kombëtar të PD-së ndërkohë, ai mbetet i vendosur se data do të jetë ajo e 18 dhjetorit dhe jo 11 dhjetori i pretenduar nga Berisha.
Për të, me pretekstin e zbatimit të statutit, Berisha nisi një lëvizje në PD, e cila degradoi. Më pas, ai kyçi në mënyrë të paligjshme firmat tek Edi Paloka sipas Bashës.
Ndërsa, mbi një përjashtim të mundshëm të Berishës, kryedemokrati iu shmang përgjigjes direkte, por theksoi se “në rast se Berisha vijon ta përdorë kështu PD-në, atëherë do të zbatohet statuti si për çdo anëtar të selisë blu”.
Diçka tjetër që Basha ka nënvizuar, ka qenë fakti se PD-ja është dhe do të jetë krah aleatëve. Këtu përfshihen SHBA-të apo Bashkimi Evropian.
Pikërisht këto dy aleate sipas tij, kanë qenë thelbësore në aksionet e PD-së. Ai përmendi reforma si ajo e dekriminalizimit. Një sukses për demokratët sipas kryeopozitarit.
Sakaq, nismë tjetër e tij dhe të djathtëve, është edhe vetingu politik. Këtij të fundit, po i hapet rrugë falë presionit të demokratëve, në pretendimin e kreut të PD-së.
Më tej, mbi atë që e ka cilësuar si “trekëndësh i Bermudave”, Basha vijoi të thotë se marrëveshjet e pretenduara mbi të dhe kryeministrin Edi Ramën, janë sajesa.
Kur në të vërtetë, kundërshtarët më të mëdhenj të PD-së, ndodhen krah Berishës në foltore sot, sipas tij.