Finiq, Kristo Kiço i ashpër me punonjësit: Nuk do toleroj asnjë shfaqje keqsjelljeje

Kryetari i Bashkisë së Finiqit, z. Kristo Kiço , ftoi gjithë punonjësit e bashkisë në një takim të mërkurën, më 17 nëntor në Livadhja.

Takimi ishte në kuadër të një informimi dhe diktimi të vazhdueshëm për çështje kyçe me rëndësi të lartë institucionale për vetëqeverisjen lokale.

Kiço tha në fjalën e tij se, “Ne jemi sot këtu, për të diskutuar individualisht dhe në tërësi përgjegjësinë që duhet të kemi si organe të pushtetit vendor por edhe e detyrimit tonë ndaj qytetarëve që na besuan. Profili social i Bashkisë është A-ja dhe Zh-ja e imazhit tonë, ndaj nuk do të toleroj asnjë shfaqje keqsjelljeje apo egoizmi të askujt. Përkushtimi i të gjithëve, duhet të jetë shërbimi më i mirë për qytetarët, me respekt të veçantë sidomos për moshën e tretë. Gjatë gjithë kësaj periudhe , ne jemi ftuar të menaxhojmë me kujdes dhe transparencë financat tona të pakta.

I qëndruam larg keqmenaxhimit pa kriter, u fokusuam në shlyerjen e deryrimeve të larta , të mëparshme, që na kishin klasifikuar në zonën me risk financiar.

Së fundi, pa fjalë të tepërta, do të doja të theksoja në mënyrë absolute se, synimi im është të përmirësojmë dhe promovojmë zonën tonë, ta kthejmë në zonë turistike , të zgjidhim problemet që mundojnë komunitetin lokal dhe ekonominë, si furnizimi me ujë të pijshëm, furnizimi me energji elektrike, zgjidhja e problemit të pronave ,përmirësimi i infrastrukturës etj. .

Sfidat, zonja dhe zotërinj, janë të shumta, nevojat janë të panumërta dhe zgjidhja është në duart tona. Faleminderit! …”, u shpreh Kico.