Prokurori i Sarandës Lorenc Mërkuri, u gjet me probleme në të tre kriteret
Prokurori i Sarandës Lorenc Mërkuri u shkarkua nga detyra më 22 shtator 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi probleme në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, profesionalizmit dhe figurës. Megjithëse të tre anëtarët e trupit gjykues, Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Lulzim Hamitaj kanë rënë dakord për shkarkimin e Mërkurit dhe kanë vlerësuar se me veprimet dhe mosveprimet e tij subjekti ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia, janë ndarë lidhur me vlerësimin në një konstatim për pasurinë dhe për profesionalizmin.
Lorenc Mërkuri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Sarandës. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej dhjetorit 2013 deri në shkarkimin e tij, e ushtroi funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Sarandës.
Deklarim i rremë për pasurinë
Komisioni ngre dyshime se Mërkuri ka tjetërsuar faktet lidhur me një pasuri në emër të prindërve të bashkëshortes dhe kësaj të fundit, e cila rezulton bashkëpronare me 1/3 pjesë takuese. Subjekti ka pasqyruar në deklaratën veting pjesën takuese të bashkëshortes në apartamentin me sipërfaqe 69.3 m2 në Sarandë me vlerë 3.1 milionë lekë.
Si burim krijimi janë deklaruar të ardhurat e krijuara nga shitja e banesës së prindërive të bashkëshortes në qershor të vitit 2007 në vlerën 2 milionë lekë, si dhe të ardhurat e siguruara prej tyre nga puna në SHBA. Bashkëshortja ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjë kontribut për pjesën e saj.
Por, nga hetimi ka rezultuar se në ditën që është kryer shtija e apartamentit të prindërve, bashkëshortja e ka derdhur shumën në llogarinë e saj. Një ditë më pas ajo ka tërhequr shumën 20 mijë euro dhe në prill të 2008-ës ka transferuar në llogarinë e të birit 14 mijë e 800 euro.
Me këto shuma janë kryer në vijmësi edhe transferta të tjera, që kanë çuar në vlerësimin e trupit gjykues se vlera e përfituar nga shitja e apartamentit në vitin 2007 nuk ka shërbyer për pagesat për apartamentin e blerë po atë vit.
“[…]Kur subjektit iu njoftua se nuk janë prekur vlerat monetare të mbetura në llogarinë e përbashkët në euro në emër të shtetaseve E. M. ose D. M. në ‘Societe Generale Albania Bank’, ai deklaroi se si burim kishin shërbyer të ardhurat e përfituara nga këta shtetas nga punësimi i tyre në SHBA”, konstaton trupi gjykues dhe vlerëson se deklarimi se pagesa për blerjen e këtij apartamenti është kryer pjesë-pjesë nga viti 2007 e në vijim, nuk është justifikuar me asnjë dokumentacion ligjor provues.
Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se nuk është vërtetuar që prindërit e bashkëshortes të kenë pasur ndonjë marrdhënie të mëparshme me shoqërinë e ndërtimit. Po ashtu, nuk është provuar transferimi i shumave nga prindërit e bashkëshortes prej SHBA, si në rrugë bankare ashtu dhe tokësore.
KPK nuk ka konsideruar si provë edhe deklaratën e një prej ish-ortakëve të shoqërisë ndërtuese që konfirmonte se kishte miqësi të hershme me vjehrrin e subjektit dhe se pagesat ishin kryer në Shqipëri dhe në SHBA. Kjo, pasi ka rezultuar se ky ish-ortak i kishte shitur aksionet që zotëronte kur kishte udhëtuar drejt SHBA-së në vitin 2009 dhe nuk kishte lidhje me shoqërinë.
Sipas KPK subjekti ka kryer deklarim të rremë pasi është përpjekur për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes së të dhënave, që lidheshin me krijimin e kësaj pasurie. “[…]Trupi gjykues vlerëson se sjellja e subjektit të rivlerësimit, duke zgjedhur të mos jetë i sinqertë në shpjegimet mbi gjendjen e pasurisë që bashkëshortja e tij disponon në 1/3 pjesën, përbën një rrethanë që më së pakti, në këndvështrimin e një vëzhguesi objektiv, përbën arsye që të cenohet besimi i publikut te drejtësia”, konkludon Komisioni.
Kryesuesi i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj në pakicë vlerëson se në këtë rast subjekti nuk gjendet në kushtet e deklarimit të rremë. “Bëhet fjalë për veprime dhe informacione që nuk burojnë drejtpërdrejt nga veprimet apo dijenitë e subjektit të rivlerësimit, in prima persona, por për veprime, fakte dhe rrethana të kryera apo të njohura nga persona të tretë dhe, më pas, të referuara te subjekti”, konstaton Hamitaj dhe çmon se nuk mund të konsiderohet deklarim i rremë pasqyrimi i një fakti apo informacioni ashtu sikurse i është referuar deklaruesit.
Ai vlerëson se nuk ka ndonjë veprim specifik të subjektit që të kishte për qëllim deformimin e fakteve reale ose pasqyrimit të tyre ndryshe me qëllim fshehjen e pasurive.
Situatë e ngjashme si oër apartamntin është konstatuar edhe për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2009, çmimi shitjes së të cilit është deklaruar si një prej burimeve të krijimit të një automjeti tip Audi në vitin 2015, kundrejt çmimit 1 milion lekë.
Nga kronologjia e blerjes dhe shitjes së automjetit tip Benz që ka shërbyer për blerjen e Audi-t janë gjetur një sërë problemesh. Sipas KPK, subjekti e ka futur mjetin në Shqipëri në maj të vitit 2009, por pa kryer zhdoganimin e tij – ndërkohë që ka realizuar rishtazi hyrjen e makinës në territorin shqiptar në shkurt të 2010-ës, por pa e dokumentuar daljen.
Kryerja e zhdoganimit të automjetit sikur të kishte hyrë në shkurt të 2010-ës në territorin e Shqipërisë, konsiderohet jo vetëm në shkelje të praktikave normale duke shmangur detyrimet doganore, por edhe si paraqitje e fakte të pavërteta.
“[…]Kjo mënyrë sjelljeje e subjektit të rivlerësimit tregon qasjen e tij në raport me respektimin e ligjit. Sjellja e subjektit, për shkak të rëndësisë që ka besimi i publikut tek integriteti dhe autoriteti i ushtrimit të ndjekjes penale, përbën zgjedhje, të cilat jo vetëm nuk shërbejnë në krijimin e besimit të publikut te drejtësia, por e dëmtojnë atë”, arsyeton trupi gjykues megjithëse vëren se ky fakt ka ndodhur kur subjekti nuk ishte emëruar ende si prokuror.
Komisioni vlerëson se ky fakt nuk mund të sjellë pasojë në vlerësimin e pasurisë, por është konsideruar në vlerësimin tërësor lidhur me shkallën e besueshmërisë së tij.
Trupi gjkykues konstaton deklarim të pasaktë të Mërkurit për shpenzimet për ndërtimin e një shtese 40 m2, në një apartament banimi në Sarandë të përfituar nga privatizimi nga familja e origjinës së tij, si dhe paqartësi të burimit të krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 112 m2 në sarandë + zyrë me sipërfaqe 28 m2 + truall me sipërfaqe 150 m2. Gjithashtu, Mërkuri nuk ka deklaruar kur ka filluar detyrën një garazh me sipërfaqe 23.8 m2 në Sarandë, për të cilin ka pretenduar se është ndërtuar pa leje rreth viteve 1994-1995 dhe nuk ka provuar burimin e ligjshëm të tre trojeve në Sarandë, me sipërfaqe totale 4200 m2.
Në përfundim, Komisioni konstaton se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur nuk kanë shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurive.
Problemet për figurën
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka ngritur dyshime për përfshirje të Mërkurit në veprime korruptive në disa procese penale. Gjithashtu janë ngritur dyshime për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Nga verifikimi i fashikujve të çështjeve penale për të cilat janë ngritur dyshime nga DSIK është konkluduar se Mërkuri nuk ka përmbushur funksionet e prokurorit në disa raste, pasi ka vendosur mosfillim procedimi penal pa kryer hetime shteruese.
“[…]Për një vëzhgues të jashtëm krijon premisa serioze të cenimit të besimit te drejtësia, në kontekstin e mosveprimit apo veprimeve të qëllimshme për të mos lejuar mbajtjen e përgjegjësisë penale, duke krijuar efektin e pandëshkueshmërisë në perceptimin e publikut”, konstaton KPK në rastin e verifikimit të një kallëzimi të hetuar nga Mërkuri në vitin 2014.
Sipas KPK, subjekti nuk ka ndërmarrë veprime procedural etë nevojshme për vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të veprave të ndryshme penale. Ndërkohë, janë evidentuar disa raste kur procedimet penale janë regjistruar 3 ose 4 muaj pas depozitimit të kallëzimeve.
Megjithëse Komisioni konkludon se nuk është provuar që Mërkuri të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, vlerëson se subjekti me veprimet dhe mosveprimet e tij ka krijuar kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut, duke cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Mangësitë profesionale
Mangësi të përsëritura janë dhe në aspektin profesional. Sipas KPK subjekti është treguar pasiv në kryerjen e veprimeve hetimore ose nuk ka kryer hetime dhe janë konstatuar raste kur arsyetimet janë gjetur të pabazuara në legjislacionin procedural penal.
Gjithashtu, janë evidentuar raste kur Mërkuri nuk ka referuar rrethanat rënduese të të pandehurit ose i ka hequr lirinë një qytetari të pafajshëm për shkak të moskryerjes së hetimeve të nevojshme.
“ Këto mosveprime të subjektit kanë afektuar indikatorët e njohurive të ligjit, aftësitë organizative të etikës dhe integritetit, të parashikuara në nenet 74 dhe 75 të ligjit nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, citohet në vendim.
Trupi gjykues arrin në konkluzionin se subjekti ka demonstruar mangësi të theksuara të njohurive ligjore, duke shkelur procedurën.“[…]gjatë ushtrimit të profesionit ka demonstruar gjykim të dobët, që ka sjellë, gjithashtu, shkelje të të drejtave të palëve, në nivel të tillë që shihen të pamundura të riparohen nëpërmjet programit trajnues në Shkollën e Magjistraturës”, konstaton KPK dhe vlerëson se në kushtet kur gabimet evidentohen të përsëritua në mënyrë të vazhdueshme, subjekti konsiderohet i papërshtatshëm për aftësitë profesionale.
Ndërsa kryesuesi Hamitaj në pakicë vlerëson se mangësitë profesionale të konstatuara nuk e bëjnë Mërkurin të papërshtatshëm profesionalisht, por sipas tij në vlerësimin tërësor bindjen se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.