Bashkëpunimi për Butrintin, rrugë e re në menaxhimin e trashëgimisë
Ministria e Kulturës dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit nënshkruan dje marrëveshjen e administrimit të pasurisë kulturore të Parkut të Butrintit.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe bashkëdrejtorët ekzekutivë të AADF-së Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, të autorizuar nga Bordi i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, u firmos protokolli i bashkëpunimit midis Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Institutit të Arkeologjisë të përfaqësuar nga Belisa Muka. Gjithashtu, marrëveshja e grantit u firmos midis bashkëdrejtorëve ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli dhe ministres Elva Margariti në rolin e kryetares së Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Ministrja Margariti tha në fjalën e saj se “ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit”.
“Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës është një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore, Richard Hodges, një njohës i mirë i Butrintit, që do të shërbejë si garanci dhe paanshmëri”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “marrëveshja që po lidhim sot krijon një model menaxhimi hibrid jofitimprurës ku shteti është pjesë, por i jep zë dhe garanci edhe donatorit për administrimin e fondeve”.
Sipas saj, kjo marrëveshje krijon një marrëdhënie të mirërregulluar mes fondacionit të posaçëm dhe aktorëve të rëndësishëm institucionalë në Butrint, përmes Protokollit të bashkëpunimit me Institutin e Arkeologjisë; bashkëpunimit me agjencitë e mbrojtjes mjedisore.
“Çdo e ardhur në arkën e Butrintit do t’i shkojë sërish Butrintit duke e kthyer edhe në një qendër studimore dhe edukuese për brezin e ri”, shtoi Margariti.
Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948, ndërsa më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.