Nis reforma në sektorin e ujësjellësve
Sektori i ujësjellësve do t’i nënshtrohet një reforme të thellë me qëllim përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se do të nis një reformë e thellë për të rritur mirëmenaxhimin.
“Është pjesë e strategjisë së qeverisë vijimi i investimeve për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësve në të gjithë vendin. Deri tani janë investuar mbi 900 milionë euro në këtë sektor dhe pavarësisht se ka përmirësim të kushteve teknike, sërish impakti nuk është i pritshmi. Për këtë qëllim ne kemi nisur një reformë të thellë që ka në fokus përmirësimin e menaxhimit”, deklaroi ministrja në prononcimin për mediet pas mbledhjes së qeverisë.
Ministrja siguroi se kjo reformë nuk do të cenojë autonominë vendore.
“Janë diskutuar disa mundësi, nga agregimi i ndërmarrjeve e deri te bashkëmenaxhimi midis pushtetit vendor dhe qeverisë”, deklaroi ministrja.
Sipas Ballukut, në kuadër të kësaj reforme do të nis edhe një tur me ekspertë të MIE-s dhe AKUM-it (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve) në të gjitha bashkitë.