Ardi Veliu emërohet zv.ministër, pas largimit si drejtor i Policisë së Shtetit

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është emëruar në postin e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe konfirmohet nga burime për “Panorama.al”.

Ardi Veliu u lirua nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në 5 tetor të këtij viti, pas disa ngjarjeve të rënda kriminale. Me anë të një letre që u bë publike nga kryeministri Rama, Veliu tregonte arsyet e largimit, ku kryesorja ishte përkushtimi i familjes.

“Ne këto moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë ne një moshë delikate e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite”, argumentoi Veliu.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit renditi edhe sukseset në këtë post, duke u shprehur se ka bërë më të mirën duke menaxhuar situata  të vështira.

“Për mua ka qene një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit ne një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrfikikuar bashkë me mua.

Jam përpjekur të jap me të mirën time dhe te forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit te organizuar e atij te rrugës, flukset e emigranteve apo dhe tubimet shpeshherë të dhunshme”, thote Veliu ne letren drejtuar Rames.

Ndersa nga ana e tij kryeministri Rama tha: “Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer”.

Ardi Veliu u emërua në krye të Policisë së Shtetit pas shkarkimit të Haki Çakos në shkurt të 2018-ës.