Bashkia e Finiqit vendos objektivat për edukimin mjedisor dhe pastrimin

Një ditë informuese për mbrojtjen e mjedisit u mbajt në bashkinë e Finiqit, në bashkëpunim me përfaqësues të programit GIZ në kuadër të Projektit “Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve & Parandalimi i Mbetjeve Detare në Ballkanin Perendimor”.

Ishin të pranishëm kreu i Bashkisë Finiq, z. Kristo Kiço dhe zyrtarë të tjerë vendorë, përfaqësues të programit GIZ Gjerman, Agjencia AJMMI, përfaqësues të shkollave, etj.

Qëllimi i diskutimit ishte prezantimi i veprimeve të deritanishme, shkëmbimi i pikëpamjeve dhe përvojave si dhe forcimi i bashkëpunimit të gjithë faktorëve. Gavrosh Zela, koordinatori shqiptar i projektit të GIZ theksoi se me edukimin mjedisor në shkolla, kemi mundësi të parandalojmë ndotjen, po edhe si duhet t’i edukojmë fëmijët në shkolla për të zvogëluar sasinë e artikujve plastikë në përdorim me alternativa të tjera . U theksua edhe roli që kanë mësuesit, duke përcjellë njohuritë e tyre tek nxënësit, për përballimin e krizës së agravuar klimaterike.

Duke analizuar situatën, u konkludua se ka progres në shumë fusha, me një ritëm të dukshëm dhe të shpejtë, ku ndikoi pozitivisht edhe përfshirja në programin e GIZ-it, lidhur me kazanët e riciklimit dhe grumbullimin e mbeturinave në një sipërfaqe më të madhe të bashkisë.

” Jemi në një fazë tjetër të bashkëpunimit me GIZ. Përfitimi nuk lidhet vetëm marrjen e një makine teknologjike për grumbullimin e mbetjeve urbane dhe 100 kontenierë për menaxhimin më të mirë të mbetjeve, por duke përfituar edhe metodologjinë për një mjedis sa më të pastër në kuadër edhe të strategjisë për t’i dhënë një prioritet zhvillimi turistik kësaj zone.

JO më mbeturina dhe plastikë të hedhura. Ne i themi PO riciklimit. Ne duhet të mbajmë shtëpinë tonë të pastër…” theksoi zoti Kiço.