Sarandë/ Lidhën familjen në karrige dhe u morën 20 mln lekë, policia gjen automatikun e autorëve
Sarandë – Vijon puna për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, ku persona të paidentifikuar dhe të maskuar, nën kërcënimin e armës dhe dhunës, vodhën një shumë parash në banesën e shtetasit T. K.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit T. K. dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, si dhe një sasi municioni luftarak.
Arma e zjarrit është dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, me qëllim identifikimin me prova shkencore të dy autorëve të ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.