Aeroporti i Vlorës, ARRSH prokuron rrugën lidhëse, fond limit 267 milionë lekë
Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH) hapi këtë të martë procedurën e prokurimit që ka në objekt ndërtimin e një rruge lidhëse me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës i cili është ende në fazë projekti. Ky i fundit do të zbatohet sipas koncesionit të dhënë pak muaj më parë. Qeveria miratoi në datën 2 qershor kontratën e nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimit të kompanive Mabco Constructions Sa, Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi, 2A Group sh.p.k për aeroportin e ri.
Fondi limit për ndërtimin e rrugës lidhëse është 267 milionë lekë apo pak më shumë se 2.1 milionë euro. Rruga parashikohet të jetë e kategorisë C 2 sipas standardit 2015, me gjerësi të pjesës asfaltike 9.5 m dhe dy bankina të pa asfaluara me nga 0.75m.
Dokumenti shoqërues i ARRSH sqaron se lidhja e Aeroportit me sistemin rrugor kombëtar merr një rëndësi të madhe për vetë fluksin e udhëtarëve dhe transportit të mallrave të cilët duhet të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe më ekonomike për t’u lidhur me akset kombëtare të vendit dhe destinacionet e kërkuara.
“Për të lidhur aksin rrugor Levan –Tepelene me Aeroportin e Vlorës si varianti më i shkurtër dhe më i përshtatshëm është qe te shfrytëzohet rruga ekzistuese e fshatit Akerni në një gjatësi prej rreth 3 km, e cila kalon në një pjesë të saj në zonë rurale dhe përfundon me një nyje në disnivel në aksin rrugor Levan-Tepelene dhe lidhja me këtë aks te realizohet duke shfrytëzuar rampat ekzistuese te kësaj nyje . Ne projekt duhet te parashikohet lidhja e kësaj rruge me Aeroportin dhe me rrugët ekzistuese të zonës (nyje në nivel /disnivel)” thuhet në dokument. Në të njëjtën ditë ARRSH ka hapur edhe procedurën për të gjetur mbikëqyrësin e projektit.
Aeroporti i Vlorës shtrihet tek ish-aeroporti ushtarak i Mifolit pranë fshatit Akërni, Novoselë, Vlorë. Vendndodhja për aeroportin e ri gjendet pranë Lagunës së Nartës, Kriporja e Vlorës dhe lumit të Vjosës. Nga ana jugore ajo kufizohet me Lagunën e Nartës rreth 5 km në vijë ajrore peizazh i mbrojtur natyror. Nga ana perëndimore kufizohet me vijën bregdetare rreth 6.4 km larg në vijë ajrore.
Ky Aeroport është i treti në vend me koncesion pas Tiranës dhe Kukësit që janë tashmë funksionalë ndërkohë që një tjetër garë është hapur për Aeroportin e Sarandës i cili do të funksionojë si aeroport sezonal.