SPAK po verifikon nëse prokurori i arrestuar i Sarandës Sali Hasa, ka prona të regjistruara në hipotekë
Një operacion i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet paraditen e sotme në Kadastrën e Vlorës.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se oficerët e BKH-së, kanë zbarkuar në zyrat e kadastrës për të verifikuar nëse prokurori i Sarandës Sali Hasa, i cili është arrestuar pak kohë më parë për korrupsion, ka prona të regjistruara në hipotekë. Sakaq efektivët policie kanë mbërritur në kadastrën e Vlorës, por nuk dihet ende arsyeja.
Ndërkohë që ditën e sotme u njoftua ndryshime në krye të Kadastrës së Vlorës. Në vend të Klodian Trocit, është emëruar Reinard Meta. Drejtorët e Kadastrës se Vlorës në vitet e fundit janë ndërruar vazhdimisht. 14 drejtorë kanë ndërruar në vetëm dy vitet e fundit, qysh prej shtatorit të 2019. Klodian Troci ka qëndruar në detyre gati 9 muaj, ndërkohë që ka pasur prej tyre edhe drejtorë që kanë ndenjur vetëm 3 ditë në detyrë.
Ish-prokurori i Sarandës, u prangos për korrupsion, pasi nga hetimet e SPAK rezulton se ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave për një kriminel. Bashkë me të janë vënë në pranga janë vënë edhe 5 persona të tjerë me akuzën e korrupsionit: oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë – Napolon Hodaj; Arbitri i ndeshjeve të futbollit – Qerim Ruçi; një zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti” -Bledar Hajredini, si dhe dy persona të tjerë Julian Zera, Emiljano Mirani, të dy të akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.