Përjashtimi nga grupi, Berisha: Basha i futi thikën demokratëve
Sali Berisha iu rikthye edhe njëherë çështjes së përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për ta shpallur “non grata”.
Gjatë “Foltores” me mbështetësit e tij, Berisha u shpreh se me vendimin e tij për ta përjashtuar nga grupi, Lulzim Basha shkeli statutin dhe iu futi thikën mijëra demokratëve.
“E bëra të qartë se në parlament do të isha pa asnjë lloj diskutimi. Shumë gjëra i keni dëgjuar. Lulzim Basha në një akt të pashembullt në historinë e një vendi, pa pyetur asnjë, del dhe komunikon përjashtimin tim nga grupi duke i futur një thikë pas shpine të gjitha parimeve mbi të cilat është ngritur PD.
Basha iu futi thikë pas shpine forumeve. Thirri koordinatorët dhe Kryesinë e grupit që nuk kanë fuqi vendimmarrëse, i mbylli në dhomë dhe më pas mbajti deklaratën e turpshme dhe më pas u fut tek ta dhe ua komunikoi. Kujt i futi thikën tjetër? Ua futi thikën anëtarëve të PD, vullnetit tuaj të shprehur në statutin e partisë, në forume, këshill. Ky i asgjësoi të gjithë”, tha Berisha.