Bledi Çuçi i jep “lamtumirën” Gjirokastrës
Pas fitores dhe marrjes së një rezultati spektakolar në qarkun e Gjirokastrës, drejtuesi që udhëhoqi fushatën Bledi Çuçi, ka zhvilluar sot një takim “lamtumire” me strukturat e degës së PS.
Rama e konfirmoi Çuçin sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, por kryeministri vendosi që ta heq atë nga drejtimi i qarkut të Gjirokastrës, duke e dërguar në Berat.
Vendin e tij e zuri Mirela Kumbaro, që gjithashtu gjatë këtij mandati do mbajë dhe postin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit.
“Një takim me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër për “dorëzimin” e detyrës si drejtues politik te Mirela Kumbaro, bashkëpunëtores së shkëlqyer në këto pesë vite punë në këtë qark dhe pjesë e pandarë e suksesit tonë të përbashkët në betejat elektorale.
I bindur që nën drejtimin e saj PS do të vijojë të arrijë suksese të tjera elektorale, jo si qëllim në vetvete, por si e vetmja garanci për të çuar përpara punët e projektet që ne kemi për qarkun Gjirokastër, për të jetësuar vizionin tonë për këtë rajon si një pol i rëndësishëm i turizmit në jug të Shqipërisë.
Ndonëse do të drejtoj politikisht Beratin, unë do të vijoj të jem deputet i Gjirokastrës, t’ju përfaqësoj në Kuvend dhe të adresoj problematikat apo çështjet që lidhen me banorët në të shtatë bashkitë e këtij qarku.
Suksese Mirelës dhe gjithkujt tjetër që është i angazhuar në strukturat tona. Të mos harrojmë se kemi një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Shqiptarët na dhanë një mandat të tretë si një kontratë të re për të punuar dhe për t’ju shërbyer. Në çdo nivel të qeverisjes duhet të jemi në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve. #skakohëpërpushim??♂️”, shkruan Çuçi. /Sarandanews.com/