Ksamili, Butrinti dhe Syri Kaltër: Destinacionet turistike për t’u vizituar sipas vlogut suedez Joyous Travel

Shqipëria vijon të mbetet një ndër destinacionet e preferuar të turistëve të huaj si dhe një ndër referencat e vlogeve të huaj më të njohur të turizmit për tu vizituar në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau pasditen e sotme reportazhin e vlogut suedez Joyous Travel, ku tregohen 10 destinacionet turistike që turistët e huaj duhet të vizitojnë në Shqipëri.

“Nëse ju pëlqen të vizitoni një vend të ri, atëherë është koha të njihni Shqipërinë. Shqipëria është kthyer në një destinacion që s’duhet humbur. Shqipëria ka bukuri natyrore dhe kulturore që tani ju mund t’i shihni vetë”, nis reportazhi i vlogut suedez.

Butrinti

Në Shqipëri do të gjeni dhe një qytet antik të quajtur Qyteti i Butrintit. Ky është një sit i Trashëgimisë Botërore i njohur nga UNESCO dhe ka një histori 3000-vjeçare. Është një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme në vend. Këtu do të shihni mbetjet arkeologjike të qytetërimeve të Greqisë së Lashtë, Romës, Biznatit dhe Venedikut. Nuk është vetëm një sit i rëndësishëm arkeologjik, por është dhe një park natyror me shumë peizazhe dhe një mjedis natyror tërheqës. Kjo është arsyeja pse është siti më i rekomanduar si atraksion turistik.

Syri i Kaltër

Një burim uji, një fenomen natyror, afër Muzinës në bashkinë e Finiqit, në jug të Shqipërisë. Është një atraksion turistik i famshëm. Uji është i qartë e i kaltër dhe është më shumë se 50 m i thellë. Kur arrin atje, ka një ballkon të vogël metalik nga ku mund të shohësh burimin. Uji është aq i pastër sa pothuajse e sheh fundin. Nëse ju merr uria, mund të shkoni në kafenetë dhe restorantet aty afër, të cilat janë krijuar për turistët dhe janë shumë të këndshme.

Ksamil

Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë vërtetë mbresëlënëse dhe ecja përgjatë ujit të kristaltë apo banjo dielli në plazhet e Shqipërisë nuk krahasohen me asgjë. Edhe pse i gjithë bregdeti shqiptar ka plazhe të mrekullueshme, pjesa e bregut që laget nga deti Jon është ‘fajtor’ për faktin që kaq shumë turistë bien në dashuri me këtë vend. Kjo zonë njihet si Riviera Shqiptare dhe aty do gjeni plazhin e Ksamilit. Ksamili nuk ka të sharë. Uji i kaltër i kalon pritshmëritë. Është një nga plazhet më të famshme e më të kërkuara në Shqipëri e megjithatë është aq i madh, saqë nuk do të ndiheni të rrethuar nga ai numër i madh turistësh që e vizitojnë, jo vetëm gjatë sezonit turistik. Ndodhet në qytetin me të njëjtin emër. Qyteti ka shumë vende të këndshme e të rehatshme për të qëndruar, si dhe dyqane e restorante.