Rriten kostot e Kardhiq – Delvinë/ ARRSH ka gati shpalljen e 3 tenderëve, fondi limit është 3.43 mld lekë
Aksi rrugor Kardhiq-Delvinë do të kërkojë të tjerë fonde për t’u përfunduar, ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon hapjen e 3 tenderëve, me një fond limit total prej 3.43 mld lekësh. 2 prej tenderëve që parashikohet të hapen përfshinë lotin 8 të kësaj rruge dhe përfshijnë sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve, me një vlerë prej 1.66 mld lekë, si dhe sinjalistën dhe sigurinë rrugore nga loti 1 deri në lotin 6, me njw fond limit prej 350 mln lekësh.
Ndërkohë që, tenderi i tretë, që do të ketë një fond limit prej 1.42 mld lekësh parashikon përfundimin e punimeve në segmentet rrugore Ura e Kranesë Qafë Botë, Ura e Kranesë Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan – Ura e Gajdarit, që janë pjesë e këtij projekti.
Më herët ARRSH ka bërë me dije për ta bërë këtë aks rrugor sa më të asksesueshëm dhe efiçent është i domosdoshëm projektimi i dy segmenteve të reja rrugore, përkatësisht ai Shijan-Ura e Gajdarit me gjatësi rreth 5.7 km dhe Shijan – hyrje qyteti Delvinë, me gjatësi 6.8 km e që përfshijnë pikërisht lotin 2 të rrugës, shkruan SCAN.
Kardhiq-Delvinë është aksi i vetëm rrugor që qeveria shqiptar po ndërton me fonde të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit, dhe jo përmes një partneriteti publik privat. Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës.
Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por deri më tani jane perfunduar rreth 16 km rruge dhe 14.5 km të tjerë janë në fazën e zbatimit të punimeve. Në vitin 2019 autoritetet parashikonin përfundimin e punimeve përpara vitit 2021, por pavarësisht kësaj aksi ende nuk është i hapur për kalimin e automjeteve.