Një fillim i ri për përgjegjësi të reja
Nga Mirela Kumbaro
Është koha të them se detyrat në qeverisje, angazhimi si deputete në Qarkun e Gjirokastrës, janë tashmë pjesë e jetës time aktive. Janë pjesë e jetës time sepse janë pjesë e besimit tim për ta bërë Shqipërinë më të mirë nga ç’është sot.
Këtë besim ma edukuan gratë dhe burrat e Qarkut të Gjirokastrës, duke bashkëjetuar çdo javë, çdo muaj e çdo vit nga 2017 e deri sot, me vështirësitë dhe gëzimet e njerëzve të tokës, të punës, të dijes, të sofrës dhe të bujarisë në Gjirokastër e Libohovë, në Tepelenë, Përmet e Këlcyrë, nga Dropulli në Memaliaj.
Andaj detyrën që Partia Socialiste, më caktoi si drejtuese politike e këtij Qarku e marr si më të madhin nderim, por edhe si një përgjegjësi serioze, sepse u detyrohem shumë banorëve të të 7 bashkive të Qarkut.
Por e marr edhe si sfidë e mbarësi. Pasi Bledi Çuçi e kreu këtë detyrë aq bukur politikisht dhe aq njerëzisht të ndërtuar mirë, duke vendosur një standard qytetarie të frymës së ekipit, të punës në grup me njerëzit dhe me strukturat, kujtdo pas tij i mbetet një sfidë e madhe për ta arritur.
Kjo sfidë sot është e imja.
#GatiPerShqiperine??