VIDEO/ Violinisti i vogël Martin Xuxi qe argëton pushuesit në Sarandë
Ky violinist i vogël përgjatë gjithë muajve të verës ka argëtuar pushuesit në Sarandë.
Çdo mbrëmje del në shëtitore dhe dhuron spektakël. Martin Xuxi u rrit në një ambient artistësh pasi dhe I ati Gentit është muzikant.
Kishte vesh muzike dhe i ati i dha mësimet e para.
“Unë jam vetë muzikant dhe duke luajtur në shtëpi dhe në Qendrën kulturore, djali na shihte duke luajtur në instrumente dhe na imitonte. Duke parë veshin e muzikës së tij unë vendosa që ta mbaja afër. Hera e parë që mori violinën në dore ka qenë në moshën 5 vjeçare, që atëherë nuk e ka hequr violinën nga dora. 4 vitet e para e mësoi me mua violinën, pastaj mori pjesë në një konkurs. Ra në sy të jurisë, që e pa edhe thanë që ky djalë duhet të shkojë në një profesoreshe të njohur në Tiranë edhe e çuam te ajo”.
Nëna e i ati i Martinit bëjnë çdo sakrificë që ai të mësojë më shumë. Në pjesën më të madhe të vitit jetojnë mes Sarandës dhe Tiranës.
“Merr mësime violine në Tiranë, ne jetojmë në Sarandë, kështu që e bëjmë vajtje ardhje një herë në javë. E gjithë familja i është përkushtuar, sepse do shumë përkushtim kjo punë. Në Tiranë e çojmë tek Liceu artistik privatisht. Ia dalim me mundim të madh se ne të dy jemi mësues me sakrificë, plus që djali ka krijuar edhe vetë një fond duke luajtur në shëtitore”.
Martini si çdo fëmijë ka dëshirë të jetë I famshëm. Kjo e shtynë të dalë dhe në shëtitore. Nëse dikush I jep para I kursen për të marrë më shumë njohuri.
Të huajt janë më dorëlëshuar.
“Dal këtu në shëtitore sepse me mbështesin edhe prindërit por dua të bëhem edhe i njohur. Pushuesit hedhin para sepse u pëlqen muzika. Kush ka dëshirë më jep dhe para. Të huajt janë më të mirë, kartëmonedha më e madhe ka qenë 20 mijë lekë të vjetra”.
I morëm pak kohë nga minutat e pushimit dhe qëndruam deri në fund të mbrëmjes për të shijuar dhe ne bashkë me pushuesit, tingujt e violinës së Martinit.
“Më pëlqen shumë atmosfera që po krijon, muzika është bashkëkohore. Djali duket si artist, është shumë gëzim, është diçka ndryshe këtu në shëtitore, është ndryshe nga gjërat e tjera që shohim përditë”.
“Çuni është një talent i veçantë, ne vijmë pothuajse çdo natë këtu dhe kënaqemi me tingujt e muzikës”.