Situata në Gjirokastër, rrezikohet një fshat: Banorët mblidhen për të diskutuar evakuimin
Zjarri në Gjirokastër ka marrë përmasa të mëdha dhe në rrezik edhe fshati Saraqenishtë edhe pse janë marrë të gjitha masat. Parku i Apollonisë deri në këto momente është i qetë, flakët janë drejtuar drejt malit të Lunxhërisë duke shmangur zonat e mbrojtura, edhe pse tymi vazhdon i dendur dhe flakët të mëdha.
Deri më tani nuk rrezikohen zona të banuara, ndryshe nga dita e djeshme ku tre fshatra u rrezikuan për shkak të favorizimit të zjarrit nga era. Pritet që të ndërhyhet me anë të forcave zjarrfikëse, pasi pjesa më e madhe e tyre janë përqendruar për të mbrojtur banorët e fshatit Saraqenishtë, ku ka mbërritur edhe një autoambulancë. Nga ana e zyrtarëve të bashkisë, bëhet me dije se të gjithë banorët janë grumbulluar në qendër të fshatit dhe po bëhet diskutimi me ta që në rast se do të ketë përshkallëzim të situatës, menjëherë të bëhet evakuimi i tyre dhe akomodimi pranë Bashkisë së Gjirokastrës në strukturat e përcaktuara.
Forcat zjarrfikëse, forcat policore, Forcat e Armatosura të cilat janë përqendruar në këtë zonë, e kanë patur të vështirë ndërhyrjen ku zjarri ishte tejet kërcënues çka bëri që edhe Forcat e Armatosura të tërhiqeshin prapa dhe ta linin flakën nën pushtetin e saj.
Era e fortë dhe bari i thatë kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Me rritjen e shpejtësisë së erës, u riaktivizuan vatrat e zjarrit dhe flakët u përhapën me një shpejtësi marramendëse. Gjatë kohës që nuk pati erë, situata ishte thuajse nën kontroll dhe po bëhej e mundur nga Forcat e Armatosura shuarja e vatrave të heshtura të zjarrit. Sapo era ka nisur të fryjë, zjarri është rindezur me shpejtësi dhe ka dalë jashtë kontrollit.
Në zonat e tjera situata paraqitet më e qetë se sa në fshatin Saraqenishtë, ku herë pas here ka shpërthime flakësh dhe vatra zjarri që shpërthejnë rrufeshëm.