Bujar Kapexhiu dhe ‘Rudina’ kapen ‘mat’ në Sarandë! Rikthehet pas 35 vitesh ‘sheshxhirimi’ i filmit të dashur për të gjithë, pedonalja e qytetit si simultane shahu
35 vite pas xhirimit të filmit “Dy herë mat”, aktorët Bujar Kapexhiu, Manjola Begolli, Alfred Bualoti e Karafil Shena u kapën “mat” në Sarandë.
Kasti i aktorëve të famshëm, disa edhe të veshur me personazhet që kanë luajtur, është rikthyer në vendin ku xhiruan duke kthyer kujtimet më të bukura të një prej filmave komikë më të dashur për të gjithë shqiptarët.
Risollën mbresat nga xhirimet, si dhe u ndjenë mirë të njihen me suksesin e Eklea Omerit e Kelvin Kostës, dy talente të shpallur së fundmi kampionë të kampionatit kombëtar e atij evropian në shah.
Mjeshtri Kapexhiu u dhuroi atyre dy librat e tij, të shkruar enkas për fëmijë. Ndërsa Kryetari Adrian Gurma i nderoi me Certifikatë Mirënjohjeje.
Aktiviteti është organizuar nga Bashkia e Sarandës.
“Të kapur mat në Sarandë! Faleminderit kampionëve të vegjël dhe aktorëve të filmit”, shkruan kryebashkiaku Adrian Gurma në Facebook.