Bashkia Përmet jep ndihma për familjet në nevojë, një mesazh i veçantë nga paraplegjiku Ligor Shyti
Bashkia Përmet i është përgjigjur thirrjes së Kryeministrit dhe nevojës së kësaj situate emergjente për të ndihmuar me ushqime dhe ilace njerëzit që jetojnë të vetmuar dhe s’kanë mundësi të dalin në kushtet kur lëvizja është kufizuar për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Ligor Shyti është një paraplegjik nga Përmeti, i cili ka bërë një reagim në faqen e tij në Facebook pasi ka marrë ndihmën nga Bashkia.
Më poshtë reagimi i tij.
Erdhi më në fund ajo që prisja prej 27 vitesh dhe po e ndaj me ju të dashur miq. Më në fund, dikush nga pushteti u kujtua se në qytetin tonë ka edhe njerëz në nevojë.
Mbrëmë pata një telefonatë nga n/Kryetarja e Bashkisë Përmet, e cila, ndër të tjera, më siguroi se në rast nevoje për ndihmë, për ilaçe, apo për blerje, duhet ta telefonoja atë dhe ata do të më mundësonin zgjidhjen e problemit.
Nuk e di kë të falenderoj, demokracinë, stafin e ri të Bashkisë, Kryeministrin, apo ndoshta edhe koronavirusin, po që kjo që prisja prej 27 vitesh, ndodhi mbrëmë. Dikujt i shkoi në mendje për mua në kohën kur nuk është fushatë elektorale.
Sa momente të vështira kam kaluar, sa halle, sa vuajtje, sa probleme më kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve të jetës sime mbi karige me rrota, por askush nuk bëhej i gjallë. Askush nuk ma kishte kapërxyer portën time, me përjashtim të familjes dhe miqve.
Askush nuk ma dinte shtëpinë e të pyeste nëse jam gjallë, apo jo, edhe pse për vite me rradhë Bashkia, qeveria, ka paguar me qindra punonjës socialë që marrin rroga jo të vogla për t’u kujdesur për kategoritë tona në nevojë.
Më në fund, tani që dielli im ka marrë harkun e tij drejt perëndimit, tani që Bota po gjunjëzohet përpara një mikrobi vrastar, kur lajmi i paralizimit të shteteve nuk është një lajm i remë, vjen ky sinjal shpresëdhënës. Mirë. Më mirë vonë, se kurrë.
Le të shpresojmë se kjo ngjarje do t’i bëjë shqiptarët më njerëzorë, qeveritarët më të përgjegjshëm dhe t’u hapë sytë e të shikojnë më larg, të shohin se ç’bën bota për njerëzit në nevojë. Le të shpresojmë tek një fillim i ri. Faleminderit!