Nuk justifikoi dot shtëpinë në Borsh, prokurori shkarkohet nga vettingu
Prokurori i Prokurorisë së Tiranës u shkarkua sipas KPK-së me arsyetimin se nuk kishte pasur burime të ligjshme për të justifikuar ndërtimin e një shtëpie në Borsh dhe disa shpenzime të tjera.
Nga Vladimir Karaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkonte prokurorin e Tiranës Adnan Xhelili duke arsyetuar se ky i fundit nuk kishte pasur mjaftueshëm të ardhura të ligjshme, kishte mosdeklarime dhe deklarime të pamjaftueshme.
Nga vendimi i zbardhur i KPK lihet të kuptohet se Xhelili nuk kishte shpjeguar një pjesë të veprimeve të tij, ndërsa nuk kishte provuar me dokumentacion apo kishyte mbajtur qëndrime kontradiktrore mbi një pjesë të të ardhurave që më pas nuk janë cilësuar si të ligjshme në analizën financiare.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, vendosi të shkarkonte Xhelilin, që sipas analizës financiare rezultoi në fund me bilanc negativ prej 4.8 milion lekësh.
KPK, siç del në vendim, gjeti probleme në shumë prej deklarimeve të Xhelilit, përfshi ato për një shtëpi të përfituar me statusin e të pastrehut dhe të përndjekurit politik në fund të viteve 90’ në Tiranë. KPK arsyeton se deklarimet në deklaratën veting dhe dokumentet e sjella ishin kontradiktore mbi mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie dhe vlerën e saj.
Po ashtu KPK gjeti mungesë burimesh për të paguar detyrimet për apartamentin. “Ka kryer deklarime të pasakta në lidhje me vlerën e pasurisë; nuk vërtetoi bindshëm mundësinë financiare me të ardhura të ligjshme për blerjen e saj”, thuhet në vendim.
Megjithatë nga vendimi rezulton se problemi kryesorë ishte një shtëpi tre katëshe në Borsh, të Sarandës. KPK tha se nga hetimi kishte rezultuar se nuk përputhej koha e pretenduar e ndërtimit me dokumentet dhe deklarimet e prokurorit.
Komisioni po ashtu gjeti se një kontratë me një kompani ndërtimi ishte fiktive vetëm për të marrë lejen e shtëpisë, por nga ana tjetër rezultoi se shtëpia ishte ndërtim i paligjshëm dhe se rregjistrimi i saj ishte në kundërshtim me legjislacionin e kohës.
Nga hetimet KPK i ka rezultuar se puna për shtëpinë ishte kryer në vitet 2008-2010, ndërsa kontrata me kompaninë pranuar edhe prej vetë subjektit ishte fiktive. Komisioni tha se Xhelili nuk kishte shpjeguar burimet financiare për këtë ndërtim, paligjshmërinë e ndëtimit dhe po ashtu mënyrën se si ishte aplikuar për leje, për sa kohë toka nuk kishte qenë në pronësi të tij por në emër të babait.
Në konstatime KPK vë në dukje se “subjekti nuk ka vënë në dispozicion asnjë mandatpagesë, faturë blerjeje apo faturë tatimore, për të vërtetuar shpenzime të kryera si dhe vleren e investimeve në objekt, sipas këtij situacioni. Për sa më sipër, në përfundim të hetimit administrativ, në deklarimet e subjektit ka pasur paqartësi në lidhje me periudhat e investimit dhe ndërtimin e objektit”.
Xhelili është mbrojtur se paligjshmëria nuk ishte konstatuar nga bashkia apo institucionet dhe se për këtë nuk kishte pasur shkelje të ligjit, justifikim që nuk është pranuar nga Komisioni.
KPK gjeti probleme edhe sa i përket burimit të krijimit të shumës prej 9.200.000 lekësh që ishte deklaruar si shpenzim për ndërtimin dhe arredimin e shtëpisë tre katëshe. Ndërsa një kredi dhe një hua që shkonin sëbashku në 6 milion lekë u konsideruan të ligjshme, një hua nga vëllai i bashkëshortes për mbi 18 500 dollarë dhe të ardhura të pretenduara nga bujqësia e turizmi u cilësuan të paligjshme. Huaja në fjalë nuk ishte deklaruar as në deklaratën periodike dhe as në atë veting. “Gjatë hetimit administrativ u konstatua se shtetasi A. K., kunati i subjektit, i ka dhënë një hua shumën 18.594 USD, e cila nuk është deklaruar në asnjë prej deklarimeve periodike dhe as në deklaratën “Vetting””, thuhet në vendim.
Vendimi po ashtu thotë se nuk ka shpjegime se kur është shlyer kjo hua dhe se nëse merrej në konsideratë që ajo ishte shlyer Xhelili ishte në mungesë të ardhurash. Për burimin e ligjshëm të huadhënësit prokurori sipas KPK solli vetëm një faqe të Qendrës Kombëtare të Biznesit, por pa shpjeguar fitimet e kunatit.
Xqhelili sipas vendimit pretendoi se shuma e marrë hua kishte qenë e depozituar në bankë dhe se nëse merreshin edhe “shpjegimet plotësuese që janë dhënë pranë ILDKPKI në datën 29 mars 2016, tregon qartë vërtetësinë dhe ligjshmërinë e burimit të shumës”.
KPK gjeti të paprovuar edhe pretendimet e Xhelilit se nga puna sezonale dhe në fundjave në ullishta e vreshta në Borsh kishte përfituar në disa vite shumë pren 8. Milion lekësh të deklaruar edhe në veting.
Në vendim KPK sqaron se nuk mori nga prokurori asnjë dokument për të provuar këtë shumë dhe as pagesën e detyrimit tatimorë për të. Xhelili pretendoi fillimisht se kishte paguar detyrime lokale dhe se bizneset e agroturizmit ishin përjashtuar nga tatimet nga autoritet lokale, por ky arsyetim u gjet i pabazuar në ligj nga KPK.
Nga ana tjetër vetë Xhelili doli me qëndrim kontradiktorë mbi të ardhurat nga bujqësia. Ai pretendoi në një moment në përgjigje të KPK se këto të ardhura nuk mund të quheshin fitime. “Pasi përveç shlyerjes së pagesave të taksave vendore pranë Njësisë Administrative Lukovë, pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar për mirëmbajtjen, punimin, ujitjen dhe plehërimin e kulturave”, citohet ai në vendim. Ai po ashtu pretendoi të ardhura nga turizmi dhe dhënia me qira sezonale e shtëpisë, duke thënë se mosdeklarimi i këtyre të ardhurave në deklaratën veting ishte një lapsus.
KPK i rrëzoi këto pretendime. “Lidhur me të ardhurat nga kulturat bujqësore, subjekti… nuk paraqiti asnjë dokument për të vërtetuar të kundërtën e barrës së provës”, thuhet në vendim. Po ashtu KPK iu referua edhe deklarimit të Xhelilit se nuk kishte pasur fitim nga kjo punë “nuk konsideroi asnjë vlerë si të ardhur ligjore përfituar prej tokës bujqësore (vresht, ullinj dhe agrume në fshatin Borsh)”. Ngjashmërisht u arsyetua edhe nga të ardhurat prej turizmit.
KPK pranoi si të ligjshme një hua prej 3 milion lekësh nga një e afërme e bashkëshortes, por arsyetoi se Xhelili nuk kishte pasur mundësi të shlyente këtë hua në kohën që është pretenduar shlyerja. Nga analiza financiare sa i përket shtëpisë në Borsh Xhelili rezultoi me bilanc negativ prej 1.9 milion lekësh në vitin 2010.
Me bilanc negativ rezultuan edhe vitet 2011, 2012, 2013, 2015 në shumën totale prej 4.8 milion lekësh. KPK konsideroi si shkelje një sërë mosdeklarimesh në vite dhe po ashtu mungesën e dokumentacionit për të provuar të ardhurat e ligjshme. Komisioni thotë se Xhelili kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë./ Reporter.al