INTERVISTA/ Mario Gurma: E mbylla me futbollin, ngjaj me Ibrën prej… moshës
Iu rikthye futbollit vetëm me një mision dhe pasi ia doli, zyrtarisht “var këpucët në gozhdë”. Jemi duke folur për Mario Gurmën, 39- vjeçarin e Butrintit. Ai u bë pjesë e sarandjotëve gjatë merkatos së dimrit si lojtar, por edhe si zv.trajner. Bilanci ishte mbresëlënës: shënoi 19 gola dhe 10 asiste. Gjatë një interviste të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, tregon si ishte të luante në Kategorinë e Dytë. Gjithnjë e kanë krahasuar me Zlatan Ibrahimoviçin, megjithatë ai vetë thotë se e vetmja ngjashmëri është… mosha.
Shënuat golin që ngriti peshë gjithë Sarandën, si u ndiet?
Jam shumë i kënaqur që ekipi ia doli të ngjitej në Kategorinë e Parë. Emocionet ishin të mëdha, pasi ajo finale ishte shumë e rëndësishme për ne. Jam i lumtur që shënova atë gol vendimtar. E kisha ëndërruar dhe në ato momente më kaloi para syve gjithë sakrifica e një sezoni të tërë. Merita nuk është vetëm imja, që të jemi të qartë, por e të gjithë çunave.
Pas një karriere të gjatë jashtë vendit, ju vendosët të ktheheshit në Shqipëri. Përse ky vendim?
Për mua ishte një moment i vështirë. Banoj në Itali me gruan dhe dy fëmijët, por më tundoi oferta që më bëri babai im, për të qenë pjesë e Butrintit në fazën e dytë të kampionatit. Natyrisht “të braktisësh” familjen nuk ishte një vendim i lehtë, por nga ana tjetër u ndjeva i lumtur se do të kthehesha në shtëpinë time, te prindërit e mi. Bisedova me babain, nënën time dhe vendosa ta ndihmoja ekipin e qytetit tim. Tani jam i lumtur që bëmë realitet ëndrrën e të gjithë sarandjotëve.
Si ishte të luanit në Kategorinë e Dytë?
Të jem i sinqertë, nuk ishte as e lehtë dhe as e vështirë. Erdha i përgatitur për këtë sfidë që më priste. Gjithashtu, niveli dhe ritmi i Kategorisë së Dytë ishte i ulët me aq sa pashë e jetova. Nuk kishte përgatitjen teknike, taktike dhe atë fizike.
Si është të jeni në një ekip me babain?
Shumë bukur dhe ka një rëndësi të veçantë për mua. Për çdo lojtar që dëshiron të bëhet trajner si unë, është shumë bukur të punosh me Milto Gurmën. Besoj se mora shumë gjëra dhe dhashë nga vetja ime më të mirën në të dyja rolet, si lojtar por edhe si zv.trajner.
Ju krahasojnë me Zlatan Ibrahimoviçin, mendoni vërtet se keni ngjashmëri?
Joooo, kjo më bën të qesh pasi e kam lexuar dhe dëgjuar nga disa tifozë, por edhe nga portale të ndryshme. E vetmja gjë me të cilën mund të krahasohem me Zlatanin është mosha e madhe që kemi të dy.
Do vazhdoni të kontribuoni për ekipin edhe në Kategorinë e Parë?
Nuk do të jem pjesë e ekipit në Kategorinë e Parë. Këtë gjë ua kisha thënë edhe çunave para se të luanim finalen e madhe: “Kjo do jetë ndeshja e fundit me Butrintin, si lojtar dhe si zv.trajner. Sido që të jetë rezultati në ‘play off’, unë do kthehem në Itali te familja ime”. Besoj se grupi i futbollistëve së bashku me profesorin që e ngjitën ekipin në Kategorinë e Parë, do të arrijnë objektivin edhe sezonin e ri futbollistik.
Cili ishte mbrojtësi që jua ka vështirësuar punën gjatë kampionatit?
Mbrojtësi që më ka krijuar më shumë vështirësi është profesori Milto Gurma (qesh). Kjo, sepse më markonte si në fushë dhe jashtë saj.
Po fusha më skandaloze ku keni luajtur?
Do ishte më mirë të përmendja fushat, ku mund të luaje mirë futboll dhe nuk të rrezikohej shëndeti. Dy janë ato: ajo e Bilishtit dhe e Labërisë. Të dyja janë shumë të mira dhe të lejojnë të luash futboll cilësor. Por, edhe e jona sigurisht, ndonëse tapeti është i konsumuar.