Ksamil, prefekti Mamaj: Deri tani janë prishur 15 ndërtime pa leje
Në kuadër të aksionit “Bregdeti ynë” të nisur dy ditë më parë në Ksamil vijon prishja e ndërtimeve pa leje, që kanë uzurpuar hapësirat publike.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se “përgjatë tre ditëve janë prishur 15 objekte, 3 janë proces duke u prishur nga vetë pronarët”.
Sipas tij, nuk ka pasur reagime nga pronarët, ndërsa policia është në mbështetje, të aksionit.
“Paralel me prishjen e ndërtimeve po bëhet njëkohësisht edhe pastrimi i mbetjeve”, – tha Mamaj.
IKMT ka planifikuar të prishë në Ksamil rreth 30 ndërtime pa leje, objektet variojnë nga 1 deri në 5 kate, me struktura betonarme dhe të lehtësuara.
Aksioni “Bregdeti ynë” është nisma e qeverisë shqiptare për t’i kthyer përfundimisht qytetarëve atë çfarë u ka dhuruar natyra, si dhe për të garantuar forcimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e sipërmarrjes së ndershme dhe të ligjshme.
Me përfundimin e afatit ultimatum për të gjithë ata që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në vijën bregdetare të vendit, prishja e objekteve pa leje apo me shtesa të paligjshme volumi dhe katesh, ka nisur ditën e hënë nga strukturat e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe Mjedisit.