Një piano në Butrint, performanca e Robert Bishës hap sezonin në kryeqendrën e qytetërimit antik
Në mjediset e kalasë veneciane në Butrint u dëgjuan për disa minuta tingujt e muzikës klasike të interpretuara nga kompozitori Robert Bisha.
Dhjetëra vizitorë dhe të ftuar ndoqën me interes disa nga ariet më të njohura shqiptare dhe të huaja në këtë kryeqendër të qytetërimit antik. Kompozitori dhe pianisti Bisha tregon emocionet e kësaj mbrëmjeje të rrallë në Butrint.
“Emocionet janë të shumta. Tani jam paksa pezull, pak nga koncerti pak këtu. Koncerti ka pasur tematika të shkurtra të folkut tonë, gjithashtu pati pjesë nga Gjeorgjia nga Suedia që unë i punoj me piano me teknikat e ndryshme të pianos. Vendi është magjik. Besoj lashtësia ka pasur të njëjtat mekanizma si sot. E kam pasur ëndërr të jem në Butrint dhe dua të rikthehem përsëri”, thotë kompozitori Bisha.
Zëvendësministrja e Kulturës, Meri Kumbe, pasi shprehu entuziazmin dhe vlerësimin për këtë koncert, informoi se evente të tilla do të jenë të shumta gjatë verës në Butrint.
“Është një koncert shumë i bukur dhe shumë i veçantë. E veçanta qëndron tek loja në piano e Robertit dhe magjia që ofron Butrinti. Pianoja e vendosur në këtë ambient pranë muzeut të Butrintit krijon një atmosferë shumë të bukur. Ministria e Kulturës po punon t’i gjejë sitet arkeologjike gati për sezonin me plot aktivitete kulturore për turistët. Uroj të kemi një sezon të mbushur me turistë dhe me shëndet për gjithë njerëzit”, tha zv.ministrja.