Qarku Vlorë dhe Gjirokastër/ Kush fitoi dhe kush humbi mes kandidatëve socialistëve në 25 Prill
Zgjedhjet e 25 Prillit i dhanë Partisë Socialiste mandatin e tretë radhazi, si asnjëherë tjetër në këto 30 vjet. Edhe pse arriti të marrë vetëm 48.68% të votave, skema elektorale e PS-së i dha asaj 74 mandate personale dhe 3 mandate të tjera satelitit të saj, Tom Doshi (PSD).
VLORA
Qarku i Vlorës është investimi personal i Edi Ramës. Në 8 vjet qeverisje socialiste Vlora ka marrë më shumë investime se çdo qark tjetër i Shqipërisë, por njëkohësisht ka njohur edhe luftën më të fortë brenda llojit. Vetë Rama është investuar personalisht në Vlorë duke u vendosur i fundit i listës dhe duke marrë mbi vete riskun e dështimit. Drejtuesit politik të qarkut, Damian Gjiknuri, i është bërë nderi duke e vendosur në një vend të sigurt në lista. Madje i është lënë edhe dorë e lirë në zgjedhjen e kandidatëve të tjerë: Alket Hyseni u vendos në një vend humbës dhe u detyrua të dorëhiqet; Edmond Leka; Fate Velaj; Vilma Bello dhe Andrea Marto u zëvendësuan me prurje të reja. Gjinuri ka marrë vetëm 6.009 vota personale duke u renditur i treti në këtë qark, pas Edi Ramës dhe Anila Denajt. Ministrja e Financave rezultoi një zgjedhje e suksesshme duke arritur të marrë 6.428 vota personale, edhe pse kandidonte për herë të parë. Vullnet Sinajt, deputetit të Lumit të Vlorës ju ndalua të zbriste në bregdet dhe u detyrua të bënte fushatë vetëm në zonën e tij në Selenicë. Sërish ai arriti të marrë 5.759 vota personale, pothuajse aq sa drejtuesi politik i qarkut. Rezultati i Vlorës e vendos performancën e Gjiknurit më poshtë se sa homologët e tij drejtues të qarqeve të tjera. Kjo e vendos atë në pozitë të pafavorshme në momentin që do të ulet në tryezën e bisedimeve me Edi Ramën dhe do të diskutohet qeveria e re.
GJIROKASTRA
Nuk munguan surprizat as në Gjirokastër. Edhe pse humbi një mandat për shkak të tkurrjes së popullsisë, PS e Gjirokastrës ruajti numrat që kishte, madje nxorri në pension edhe një figurë të fuqishme politike lokale si Vangjel Tavo. Drejtuesi politik i këtij qarku u caktua Bledi Çuçi, i cili teorikisht ishte poshtë vijës së zjarrit dhe mandati i tij nuk ishte aspak i sigurt. Por Çuçi tejkaloi pritshmëritë duke marrë 11.932 vota personale. Pesha e votave që ka marrë Çuçi bëhet edhe më e madhe në momentin që llogaritet përqindja e votave personale, kundrejt kandidatëve të tjerë. Çuçi ka marrë 58.33% të votave që qytetarët e Gjirokastrës i kanë dhënë personalisht kandidatëve. Një shifër e pakrahasueshme me kandidatët e tjerë në të gjithë Shqipërinë.