Anila Denaj: Prioritet vaksinimi antikovid i qytetarëve, financim për blerjen e dozave të reja
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në seancën plenare të radhës, Aktin Normativ të ndryshimit të buxhetit, i cili parashikon një shtesë fondi prej 2 miliardë lekë, për Fondin Rezervë, me destinacion blerjen e vaksinave antikovid.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj vlerësoi, se vaksinimi do të vijojë të mbetet një nga prioritetet e deklaruara të qeverisë shqiptare. “Rrjedhimisht, për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës së vendit, objektivi ynë i përbashkët mbetet vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë, për të cilët nevojiten 4.4 milion doza vaksina”, u shpreh ajo.
“Deri më sot qeveria shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milion dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milionë doza të tjera vaksine, e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në cmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave”, u shpreh ministrja.
Qeveria shqiptare pranoi propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për çdo zhvillim në vijim.
Duke iu referuar performancës së treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3-mujore (janar – mars 2021), ministrja Denaj, tha se është reflektuar një ecuri pozitive në arketime dhe shpenzime.
Kështu bazuar në vlerësimet mbi ecurinë e deritanishme të treguesve të buxhetit 2021, si edhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit 2021, ky akt normativ përcakton vetëm një ndryshim kyc i cili ka të bëjë me shtesën me 2 miliardë lekë në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave, me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021, si edhe të shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë qe lidhen me pandemine Covid 19.
Shtesa në të njëjtën masë, pra 2 miliardë lekë është parashikuar dhe në zërin e të ardhurave tatimore, të cilat balancojnë ndërhyrjet në buxhet, por nuk prekin parametrat kyc makro-fiskalë.
Indikatorët si deficiti buxhetor dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara dhe në përmirësim drejt një konsolidimi fiskal afatmesëm.