Gjirokastër, Guximtar Boçi nga fajtor në viktimë, manipulimi i dosjes për ngacmuesin seksual
Në Tetor 2016 emisioni “Stop” transmetoi rastin e kreut të Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi, i cili i kërkoi favore seksuale një qytetareje, në këmbim të ndërhyrjes për një proces gjyqësor që ajo kishte në këtë gjykatë.
Por procesi ndaj zotit Boçi po manipulohet. Çështja u mor në dorë nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Pranvera Pustina, e cila tentoi të nxirrte të pastër ish-gjyqtarin. Kjo prokurore ishte në dijeni, që laboratori i Policisë Shkencore nuk ka kapacitet për një akt-ekspertimi të zërit, ndaj duhet ta kishte dërguar audion e publikuar nga “Stop” në një laborator tjetër.
Linja favorizuese për Guximtar Boçin vazhdon me vëllain e prokurores Pustina, anëtar i KLD-së, Gerd Hoxha. Ai kishte për hetim çështjen Boçi në KLD. Ai përdori justifikimin e mungesës së akt-ekspertimit të zërit, për të pezulluar hetimin e KLD-së.
Kjo prokurore i premtoi zotit Boçi pafajësi duke e deleguar çështjen në prokurorinë e Fierit. Direktivat ishin të mirëmenduara.
Si për koicidencë edhe në Fier, çështjen Boçi e merr prokurorja Elida Hoxhaj, e cila pa pyetur asnjëherë zonjën e ngacmuar nga Guximtar Boçi, apo dëshmitaren gjyqtaren Blerta Çibuku, si dhe pa akt-ekspertimin e zërit e pushoi dy herë radhazi këtë çështje, madje edhe duke gënjyer në ankimin e saj pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.
“Më keni ofenduar me atë emision Stop kështu që unë s’kam pse të jap informacion. Në qoftë se kërkon informacion kërkoje zyrtar”, tha ajo.
Më pas treshja e Gjykatës së Apelit në Vlorë me Nazmi Trokën, Klodiana Gjyzarin dhe Hysen Saliko lanë në fuqi pushimin e çështjes duke mbyllur sytë e veshët që në këtë dosje mungonte një akt-ekspertimi, i cili do të vepronte autenticitetin e zërit të Guximtar Boçit. Në fund, kjo ishte alibia e tij që zëri në Stop nuk ishte i tij.
“Stop” kohë më parë bëri vetë një akt-ekspertimi akustik që provoi se zëri në regjistrim ishte i Guximtar Boçit. Por kjo provë e re, nuk u administrua kurrë.
“Zyra e ekzaminimeve kriminalistike, Tiranë 21 Janar 2019. Gjatë analizës së hollësishme të gjithë segmentit file Audio objekt i drejtpërdrejtë ekspertimi sipas këtij opsioni duket qartë që segmenti ka vlera të larta dhe të spikatura identifikuese”.
Në të kundërt për dëmin shëndetësor dhe prishjen e imazhit, vlerësuar nga Evald Jaho, Guximtar Boçi kërkon edhe dëmshpërblim në vlerën 500 milionë lekë të vjetra nga viktima e vërtetë e kësaj ngjarjeje.
Stop paralajmëron se do t’i drejtohet të ILD-së për të gjithë procedurën e ndjekur fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Prokuroria Fier dhe Gjykata e Apelit Vlorë.