I shpallur në kërkim për 127 kg kanabis dhe 1 automatik, arrestohet nga Policia e Sarandës
Komisariati i Policisë Sarandë njofton se është kapur dhe ndaluar 48-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje armëve dhe municionit luftarak”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin:
T. Q., 48 vjeç, banues në Fier, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, me vendimin e datës 17.12.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Sipas njoftimit të Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet si njëri prej autorëve të ngjarjes së ndodhur më datën 31.10.2011, në lagjen nr. 1 Sarandë, ku Policia gjeti dhe sekuestroi në një automjet, një sasi prej 127 kg lëndë narkotike kanabis, një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale, përfundon komunikata e Komisariatit të Policisë Sarandë.