Gjiknuri: Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente politike

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, shoqëruar nga deputetët aktualë Vilma Bello e Fate Velaj dhe kandidati Ilir Metaj zhvilluan një takim me një grup banorësh në lagjen Çole.

“Ne duhet të jemi krenarë për projektin politik-ekonomik që Kryeministri Edi Rama ka patur për Vlorën dhe që po e bën realitet. Zhvillimet e shumta që po ndodhin në Vlorë, përfshi dhe lagjen Çole janë dëshmi konkrete që premtimet ne i kthejmë në punë reale. Lagjia Çole po njeh ndryshime të dukshme me qëllim urbanizimin e kësaj zone, njësoj siç është bërë qendra e Vlorës. Mandati i tretë qeverisës do të jetë pikërisht për investime të mëtejshme në këto zona. 9 mandatet që Partia Socialiste do të marrë në zgjedhjet e 25 prillit do të jenë tregues i mirënjohjes së vlonjatëve ndaj punës së bërë, investimeve konkrete dhe transformimit rrënjësor të Vlorës në këto dy mandate qeverisëse”, u shpreh Gjiknuri.

Në fjalën e tij para banorëve, Gjiknuri deklaroi se vota e 25 Prillit duhet të jetë një votë për të garantuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e projektit politiko-ekonomik të qeverisë për Vlorën.

“Vota për Partinë Socialiste është votë për garancinë, për stabilitetin. Vlorës nuk i duhen eksperimentet, si qytet që e ka vuajtur më shumë keqqeverisjen ndër vite, duke u lënë në harresë nga ata që sot pretendojnë të vijnë në pushtet. Me votën për Partinë Socialiste, për Edi Ramën, për këtë qeverisje, ne do të bëjmë më shumë për Vlorën, duke ruajtur stabilitetin, pasi vetëm kështu mund të çojmë përpara progresin që kemi nisur. Kemi një  ekip shembullor në Vlorë, njerëz që jetën e tyre e kanë të lidhur me Vlorën. Ky ekip i kombinuar është garancia e suksesit. Vota për numrin 12, Për Partinë Socialiste është votë për të gjithë ekipin socialist në zgjedhjet e 25 prillit”, theksoi Gjiknuri.

Kandidati për deputet në rajonin nr.4 Ilir Metaj ftoi të gjithë banorët e zonës ta mbështesin Partinë Socialiste, të  vetmen alternativë të qytetarëve. Metaj pohoi se “do të jetë një zë i fortë i banorëve të rajonit 4, duke e justifikuar me punë mbështetjen e tyre”.

“Vota është kapitali juaj për investimin e të ardhmes. Unë sot po kërkoj votën duke kërkuar dhe besimin tuaj e ju premtoj se përmes angazhimit tim do ta tregoj se e kam merituar mbështetjen tuaj. Investimi juaj te Partia Socialiste do të bëjë që në mandatin e tretë qeverisës ne të vijmë me një listë premtimesh të mbajtura, për të bërë edhe më shumë për Vlorën tonë. Më 25 Prill votat tona do të shkojnë për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, që Vlora të jetë e ardhmja jonë e ndritur ”, theksoi kandidati Ilir Metaj.

Në fjalën e saj deputetja aktuale Vilma Bello theksoi rëndësinë e votës për Partinë Socialiste, si e vetmja alternativë e cila do të mundësojë vijimin e reformave transformuese për Vlorën. “Rajoni 4 ka qënë gjithmonë  shpirti i fitores së Partisë Socialiste edhe kështu do të vijojë. Ne sot kthehemi në këtë zonë jo vetëm me premtime të mbajtura nga zgjedhjet e 2017-ës por edhe me më shumë punë konkrete e me shumë projekte të cilat do të vijojnë në mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Vota për Partinë Socialiste është votë për punët e kryera dhe për shumë të tjera që janë parashikuar të realizohen në mënyrë që  ndryshimi rrënjësor i Vlorës të shtrihet edhe në lagjet e qytetit të Vlorës”, nënvizoi Bello.

Damian Gjiknuri zhvilloi takime edhe me banorët e fshatrave Xhyherinë dhe Alikokë të njësisë administrative Qendër Vlorë.

Sipas Gjiknurit, alternativa e Partisë Demokratike është kërcënuese për ecurinë e projektit të zhvillimit të Vlorës.

“Ata thonë po erdhëm ne do ti rishikojmë të gjitha projektet për Vlorën, do ti çojmë në SPAK e në prokurori thonë ndaj do ti bllokojmë. Duan ti lënë aty varr të hapur siç bënë në 2005-2006 në Tiranë kur erdhën në pushtet dhe bllokuan të gjitha projektet e Edi Ramës. E mbani mend Zogun e Zi që e shëmbi. Po pse kështu do të vazhdojmë ne? Kur të vinë ata të thonë do të bllokojmë e zgjerojmë Lungomaren? Apo do të thonë nuk do të lemë të përfundojë projekti në Skelë? Apo do të bllokojnë projektin e Sheshit të Flamurit dhe ta lënë varr të hapur? Vlonjatët duan që këto punë të nisura të përfundojnë dhe garancia e vetme është me Edi Ramën në qeveri”, insistoi Gjiknuri.

Drejtuesi politik i socialistëve për qarkun e Vlorës u shpreh se nuk sheh asnjë arsye përse qytetarët e Qarkut të Vlorës duhet ta çojnë votën dëm duke ja dhënë përfaqësuesve të Partisë Demokratike apo atyre të LSI-së.

“Ne kemi bërë shumë gjëra në Vlorë. Qyteti ka ndryshuar shumë dhe unë nuk i gjej arsyet për çfarë duhet që LSI të marrë vota, çfarë ofron LSI përveç ndonjërit që thotë do të kap ndonjë vend pune po erdhi LSI? Arsye tjetër publike dhe madhore unë nuk shoh dot këtu në Vlorë! Po, për Partinë Demokratike? E kanë treguar veten ata. Janë po ato personazhe që riciklohen dhe e kanë treguar veten fare mirë çfarë kanë bërë për Vlorën. Atëherë për çfarë do ta kërkojnë votën? Për tu punësuar edhe aty një më shumë në parlament e të rregullojë hesapet e tija? Prandaj them se mundësitë janë shumë reale dhe kemi një mundësi të votojmë masivisht për Partinë Socialiste. Votoni numrin 12 dhe le të vazhdojmë këto projektet e zhvillimit të Vlorës. Mos tja çojmë krahut tjetër i cili po jua them krahu tjetër për Vlorën do të kthejë të njëjtat histori”, u shpreh Gjiknuri.