Nga Adrian Gurma, Denaj, tek Hyseni e Gjiknuri: Mesazhe ngushëllimi për Bashkim Finon

Politikanë, zyrtarë, miq e kolegë kanë përcjellë sot mesazhe ngushëllimi për ndarjen e papritur nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino.

Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino, u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi ishte i infektuar me COVID-19.

Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma shkruan:

“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes,të njeriut të mirë e mikut të të gjithëve,Bashkim Fino. Shumë dhimbje e trishtim. E blertë lëndina”, nënvizon Gurma.

Kandidatja për deputete e Sarandës Anila Denaj:

“Lamtumirë Bashkim Fino!

I pabesueshëm lajmi për ndarjen tënde nga jeta, miku, kolegu dhe bashkëpunëtori im.

Do më mungojnë përshëndetjet e diskutimet tona.

Do e ndjejme të gjithë mungesën tënde, jo vetëm ne socialistët.

Nder dhe priviliegj që të njoha!
U prehsh në paqe!”, shprehet Denaj.

Një mesazh ka përcjellë dhe drejtuesi politik për qarkun Vlorë Damian Gjiknuri.

“Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar!”, shprehet Gjiknuri.

Ndërsa Alket Hyseni shkruan:

“E kush mund ta mendonte se kjo do të ishte foto e fundit me Baç Finon, mikun e veçantë, kolegun e mençur dhe socialistin që e donin të gjithë.

Çdo fjalë e mençur e Bashkimit, punët e veprat që kreu në jetë, dashuria dhe mirësia që përcolli çdo ditë, shakatë e ëmbla dhe buzëqeshja në portretin e tij, kthehen tashmë në kujtime të vyera, për të mos e harruar kurrë, familja e tij, ne që patëm nderin ta kemi mik dhe koleg, familja e madhe socialiste, por edhe Shqipëria dhe gjithë shqiptarët.
Ngushëllime nga zemra famijes së nderuar Fino! U prehsh në paqe Bashkim!”, përfundon mesazhin e tij Hyseni. /Sarandanews.com/