Shemben galeritë e minierës, rrezikohet rruga nacionale Sarandë-Gjirokastër që kalon përsipër
Një masiv dheu është rrëzuar në afërsi të rrugës nacionale Sarandë-Gjirokastër, pranë fshatit Krongj. Një gropë më përmasa të mëdha u krijua nga ky fenomen, i cili është duke u përsëritur disa herë në këtë zonë.
Sipas specialistëve të gjeologjisë mësohet se është rrezuar një nga galeritë e shfrytëzimit minerar të minierës së kripës, e cila u ndërtua në vitet ‘60. Banorët shprehen të frikësuar, pasi e gjithë zona është e pasigurt.
E rrezikuar nga galeritë e minierës që nuk shfrytëzohet më, është edhe rruga nacionale Sarandë Gjirokastër, e cila kalon sipër galerive.
“Kemi një fundosje të dherave duke formuar një sipërfaqe gati 50 m katrorë me një thellësi deri në 3 metra. Kjo fundosje ndodhet në zonën e shfrytëzimit të ish-minierës së kripës. Është për t’u theksuar se në fund të gropës shfaqen shkëmbinjtë rrënjësorë, që janë pjesë e dalieve aveporitike në këtë zonë. Mundësia për zgjerimin e gropës ekziston në pjesën anësore, por ndoshta edhe në thellësi.
Është për t’u vlerësuar fakti që edhe segmenti rrugor Sarandë-Gjirokastër është në influencën e këtij shfrytëzimi minerar. Fatmirësisht, gropa nuk ndodhet pranë saj, por risku ekziston”, thotë Adem Draci, punonjës i shërbimit gjeologjik shqiptar
Bashkia e Finiqit mori masa për vendosjen e sinjalistikës së rrezikut tek gropa e krijuar. Tashmë janë njoftuar edhe banoret e zonës si dhe fermerët të bëjnë kujdes, pasi perimetri i rrezikut zgjerohet çdo ditë për shkak se shembja vijon kryesisht gjatë orëve të natës.
“Bashkia e Finiqit ka marrë masa që ditën e parë. Janë lajmëruar prefektura dhe specialistët nga Tirana. Shpresojmë se do rrethohet shumë shpejt për të mbrojtur njerëzit dhe bagëtitë”, shprehet Dhimitër Dhroso, shef i policisë bashkiake Finiq.
Miniera e kripës së gurit u ndërtua në vitet ‘60 në afërsi të zonës së Syrit të Kaltër. Kripa e prodhuar këtu ishte lëndë e parë për uzinën e sodës kaustike dhe industrinë shpimit të naftës.