Adrian Gurma vlerëson 4 nxënësit e shkollës “Antoni Athanas”, shkëlqyen në ekspozitën e artit pamor “Artitstët për Gratë”
Katër nxënës të shkollës së mesme “Antoni Athanas” në Sarandë, të udhëhequr nga mësueset e tyre, janë bërë pjesë e ekspozitës së artit pamor “Artitstët për Gratë”, që u çel për 8 Mars në Galerinë “Art Saranda”.
Përfshirja e tyre ishte me kokteilin e përgatitur gjithashtu me art dhe të servirur me kulturë, të vlerësuar edhe nga të pranishmit e sidomos nga artistët që përfaqësuan 100 bashkëautorët e tyre nga e tërë hapësira shqipfolëse.
Performimi cilësor dhe profesionalizmi i treguar në produktet e përgatitura nga nxënësit: Naile Merkaj, Marsid Kushova, Renato Mixha e Arsen Memlika, ishin arësye e mjaftueshme që Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, t’i presë ata në një takim të posaçëm dhe t’u shprehë edhe zyrtarisht mirënjohjen institucionale.
Njëherësh ky ishte një tjetër rast kur Kreu i Bashkisë Gurma shprehu falenderim për mbështetjen e dhënë në evente lokale nga shkolla “Antoni Athanas” dhe vlerësoi punën e stafit mësimor për përgatitjen e profesionistëve të rinj, që janë garanci për ngritjen e standartit të shërbimit për turizmin e Sarandës.