Basha takon në Vlorë “kushëririn” e Ramës dhe Bujar Asqeriun: Atë symadhin s’e do askush në fisin tonë, nuk të gënjen vëllai
Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Vlorë, ka takuar disa personazhe interesantë.
I pari ishte një tip, që u prezantua si kushëriri i Ramës.
“O vlla të uroj shëndet, ne do fitojmë. Unë jam kushëriri i Edi Ramës, më maskarai që ka Shqipëria.
Na mori pronat, më hoqi nga puna mua, familjen time, ia dha oligarkëve të tij.
O Lulzim nuk të gënjen vllai. Më pruri forcat sikur isha më krimineli i Shqipërisë.
Asnjë nga fisi nuk e voton më Edi Ramën. Nga të gjithë fisi i mamasë sime, asnjëri.
Nëna ime dhe nëna e tij kushërira, gjyshërit janë kushërinj të parë.
Mua të parin ma prishi. Unë as nuk kam vjedhur, as jam marrë me dorë, as nuk jam marrë me asgjë”- tha qytetari.
Basha iu përgjigj se “familja e tij janë oligarkët, familja ime jeni ju” dhe se më 25 Prill do ta largojnë Ramën nga pushteti.
Më pas, Lulzim Basha ka takuar Bujar Asqeriun, që është angazhuar nga Bujar Leskaj në këtë fushatë zgjedhore.
“Ai symadhi shikon cdo gjë, shikon cdo gjë. Ata që e kanë prishur kanë bërë një gjynaf të madh, sikur kanë prishur një xhami, një kishë.
Nëser të gjithë ata që kanë vënë dorë mbi pronën publike dhe kanë mbushur xhepat të shkojnë para ligjit. Ndryshe nuk bëhet ky vend.
Kam dhe dy plagë në zemrën time që po jua referoj, të parën e kam për naftëtarët, të cilët i kanë dhënë miliona euro këtij vendi të cilët sot treten dhe nuk jetojnë as në shtëpia të mira.
Cinizmi i kryeminsitrit që i thoshte dilni, është cinizëm njerëzore. Pa dashuri nuk fitohet asnjë betejë. Familjet e naftëtarëve, infrastruktura të rregullohet”, tha Asqeriu, ndërsa rrëkëllente një gotë në lokal me Lulzim Bashën e Bujar Leskajn.
Ndër të tjera ai ka theksuar se shqiptarët të zgjedhin mes sundimtarit dhe shërbestarit.
“Me vullnetin që me votën e tyre të vendosin fatin e tyre. Të zgjedhin mes sundimtarit dhe shërbestarit. Në Shqipëri duhet të jetë populli zot i arit, detit dhe tokës, dhe ai që do të zgjidhet të jetë në shërbim të këtij populli, që është shumë i zhgënjyer nga politika.
Dua që çdo shqiptar ta shikoj të lumtur. Tashmë në Tiranë është shkatërruar Teatri, duhet ta çoni teatrin aty ku ishte dhe siç ishte. Ato kanë një urrejtje ndaj artistëve”, ka thënë Asqeriu.
Ndërkohë Basha ka deklaruar se do të mbështesë mirëqenien e artistëve shqiptarë që të jenë me të barabartë me të gjithë artistët në rajon.
“Respekti që ka Vlora dhe Shqipëria për ty ka kuptuar se në jetën tënde artistike, ku ke lartësuar në piedestal figurat më të njohura historike të vendi tonë. Duke lartësuar figurat historike që nuk jetojnë më.
Unë jam zotuar dhe do e bëj teatrin ku dhe siç ishte. Një komb pa artistë është pa shpirt. Është e tmerrshme që nuk është gjetur koha për artistët.
Një nga gjërat e para që do të ndryshoj është se për artin dhe kulturën do të kenë të njëjtin trajtim në rajon. Nuk ka artist në rajon që është i nëpërkëmbur”, ka thënë Basha.
Gjatë fjalës së tij, Asqeriu tha se artistët janë të pakënaqur nga politika shqiptare, sepse ata janë anashkaluar dhe nuk janë vlerësuar. Ai u shpreh se Tirana sot me 1 milionë banorë, nuk ka asnjë Teatër dhe atë që kishte e shembën. Ndërkohë që direktivat e BE-së kërkojnë 10 Teatro minimum për 100 mijë banorë.
“Artistët në përgjithësi janë të pakënaqur nga politika, sepse politika i ka anashkaluar, nuk i ka vlerësuar, nuk ka investuar për artin, edhe një Teatër e rrafshuan. Tirana ka vajtur 1 milionë banorë minimumi dhe në kërkesat e BE-së për 100 mijë banorë duhet të ketë minimum dhjetë teatro. Ku janë 10 teatro në Tiranë?!
Edhe ai që ishte e shkatërruan. Prandaj nesër, i nderuar z.Basha, teatrin ta çoni atje ku ishte. Sepse aty është fryma e atyre që nuk jetojnë dhe e atyre që nuk jetojnë nesër. Hajde prishe sot një kishë a një xhami se të vret ai atje. Ata kujtojnë se nuk shikon ai (Zoti), ai shikon çdo gjë. Prandaj ata që e kanë prishur kanë bërë një gjynah të madh. Është njëlloj si të kenë prishur një kishë a një xhami”– deklaroi Asqeriu.
Basha nga ana e tij iu përgjigj Asqeriut se ajo çfarë e bën më të rëndë situatën, është se Teatri nuk është shembur nga padija e injoranca, por për një aferë korruptive.
“Edhe më keq sepse e kanë bërë jo nga padija, injoranca apo indoktrinimi, ata e kanë bërë për një aferë korruptive. Kanë prishur një vepër që simbolizonte dashuroinë për artin dhe e kanë bërë nga kompleksi që ai ka për artin dhe artistët.
Tani ju keni shkrirë jetën tuaj për artin dhe artistët dhe minimum që ky vend ju ka për detyrim, është dinjiteti juaj dhe që të sigurojë që brezat e ardhshëm të artistëve të kenë dinjitetin për të krijuar. Sepse një komb pa art, pa kulturë, pa artistë është një komb pa shpirt. A mundet të jetojë një komb pa shpirt”– deklaroi Basha.