Gjyqtarja e Sarandës, Nevrie Duka shkarkohet për “gropat” e pasurisë
Gjyqtarja e Sarandës, Nevrie Duka u përball me një raport negativ të pasurisë në seancën dëgjimore dhe u shkarkua brenda ditës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa subjekti këmbënguli në fund të seancës që të merrte përgjigje se pse nuk i ishte njoftuar rezultati i hetimit në dy kriteret e tjera, veç atij të pasurisë.
Nuk u bë e qartë se pse KPK nuk mori vendim të ndërmjetëm për pyetjet e saj, edhe pse Duka i referoi si kërkesa proceduriale. Por vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs e mbylli seancën duke i thënë Dukës: “Nëse e gjen veten në një grope, është mirë të mos gërmosh më shumë”. Ironikisht, problemet kryesore të Dukës vinin prej punës së bashkëshortit, i cili zotëronte një mjet skrep për hapje gropash për themele ndërtimi pallatesh. KPK në një “nxitim” të diktuar me gjasë edhe nga situata e karantinës, njoftoi që vendimi do të jepej brenda ditës.
Nga relacioni i lexuar në séance, Duka u gjet sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me probleme të shumta në kriterin e pasurisë, që përfshin pasuri dhe veprime financiare të padeklaruara, veprime të dyshuara si fiktive, të ardhura të pajustifikuara dhe dyshime për konflikt interesi e gjykim të çështjeve ndaj kompanive me të cilat bashkëshorti kishte marrëdhënie financiare.
Duka vetë pranoi një sërë prej gjetjeve të KPK, edhe pse kundërshtoi përfundimet e arritura nga Komisioni. Ajo tha se nuk kishte gjykuar asnjëherë në konflikt interesi, ndërsa këmbënguli se kishte dhënë drejtësi.
“Kam bërë drejtësi me dorë të hekurt, por edhe me zemër motre dhe nëne,” tha Duka, ndërsa pretendoi se gëzonte respekt të komunitetit. Nevrie Duka punon në sistemin gjyqësor shqiptar prej vitit 1995. Në dy dekadat e fundit, ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Sarandës.
Problemet e pasurisë në posedim
Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Duka përbëhet nga Suela Zhegu, Olsi Komici dhe relatore Genta Tafa Bungo. Në fillim të seancës u vu në dukje se procesi ishte përmbyllur me një kriter.
Tafa lexoi një relacion negativ, i cili e vinte theksin te mungesa e burimeve dhe të ardhurat për të cilat nuk ishin paguar tatimet apo te dyshimet për veprime fiktive.
Relatorja tha se Duka kishte qenë bashkëpunuese, por përgjigjet e saj nuk kishin qenë të plota dhe në disa raste ajo nuk kishte dhënë shpjegime. Problemet filluan për një shtëpi në posedim, pa qira, por me një marrëveshje gojore sipas Dukës që nënkuptonte se apartamenti do të paguhej me punë në natyrë nga bashkëshorti.
Relatorja tha se prej kohës që ky apartament ishte marrë në posedim në vitin 2011, bashkëshorti nuk kishte bërë asnjë punë për kompaninë në fjalë. Relatorja po ashtu tha se gjyqtarja kishte dhënë një vendim në një çështje ku palë ishte një kompani me administratore të njëjtë me kompaninë, nga e cila kishte në posedim apartamentin.
Duka pohoi se nuk kishte dokumente për të provuar marrëveshjen mes bashkëshortit dhe kompanisë. Ajo tha se kishte marrë apartamentin në posedim, pasi ishte afër gjykatës dhe se i nevojitej në atë kohë pasi sapo ishte bërë nënë. Ajo pretendoi se kishte dhënë dorëheqjen nga çështja në fjalë dhe se referimi ishte bërë gabim prej kancelarit të gjykatës, që nuk e kishte parë deri në fund dosjen, por vetëm faqen e parë. Megjithatë ajo nuk dha përgjigje për mungesën e dokumentacionit dhe mungesën e vlerës.
Apartamenti në Tiranë
KPK vuri në dukje se një apartament i blerë në Selitë per 45 mijë euro dhe rregjistruar në emër të vajzës së mitur ishte paguar me paratë e fituara nga shitja e një trualli prej 400 metrash të blerë nga Bashkia e Sarandës për 288 mijë lekë në vitin 2000, me qëllim investimi.
KPK tha se trualli ishte shitur 8 vjet më vonë për 70 mijë euro, “rreth 30 herë më shtrejtë”.
Relatorja tha se për këtë shitje nuk ishte paguar asnjë detyrim tatimor dhe se kishte dyshime që procesi i shitjes të ishte fiktiv, ndërsa subjekti nuk kishte përmbushur investimin dhe arsyet me të cilin e kishte blerë truallin nga bashkia. Nga dokumentet rezultonte që gjyqtarja me blerësin kishin një kontratë sipërmarrjeje, ndërsa edhe pse pretendohej i nisur në vitin 2008, procesi i shitjes kishte përfunduar në vitin 2016.
Duka i kundërshtoi këto gjetje. Ajo tha se 70 mijë eurot duhej të konsideroheshin të ligjshme, pasi ato ishin trasferuar në bankë dhe se asnjë institucion nuk i kishte vënë asaj në dukje se kishte probleme. Ajo tha se transaksioni ishte i raportuar te institucionet kundër pastrimit të parave dhe nuk kishte pasur asnjë referim.
Duka pretendoi gjithashtu se dyshimet për kontratë fiktive rrëzoheshin dhe se arsyeja e bërjes së shitjes me kontratë sipërmarrje ishte moratorimumi kundër lejeve të ndërtimit në bregdet. Duka pretendoi se kontrata kishte një shtesë të qartë që shprehte heqjen dorë prej saj nga pronësia.
Gjyqtarja pranoi se çmimi i blerejs së truallit ishte “sa për një kafshatë buke”, por tha se ajo nuk kishte qenë idiote që ta shiste po aq dhe se ishte diktuar nga tregu: “Nuk do më linte gjitoni ta shisja më lirë, se i prishja pazarin,” tha Duka.
Gjyqtarja pretendoi se kishte përfituar njëlloj si një qytetare e thjeshtë dhe se shumë qytetarë kishin marrë truall në mënyrë të ngjashme në Sarandë. Ajo refuzoi të kishte qenë në konflikt interesi në gjykimin e çështjeve ndaj bashkisë së Sarandës. Ajo tha se do kishte pasur konflikt nëse do kishte gjykuar çështje me titullarët, jo me institucionin, ndërsa tha se çështje të tilla kishin gjykuar të gjithë në Sarandë, pasi gjykata ishte e vogël.
Pasuritë e bashkëshortit, huatë e kreditë
Nga relatimi rezultuan ndërkohë një mori problemesh me pasurinë e bashkëshortit të gjyqtares. 22 milionë lekë të ardhura të bëra prej tij nga hapjet e gropave për ndërtimin e pallateve, për të cilat nuk ishin paguar tatimet, u cilësuan të paligjshme nga KPK.
Në Komision u relatua se kishte dyshime se dy makina të blera më lirë dhe të shitura më shtrejt nga bashkëshorti ishin në fakt veprime fiktive për të justifikuar të ardhurat, ndërsa të paktën për një makinë që nuk ishte trasferuar pronësia nga blerësi u vu në dyshim e gjithë shitja te nipi i tij.
Komisioni vuri në dukje se dy kompanitë me të cilat kishte punuar bashkëshorti i Dukës kishin pasur çështje me gjyqtaren, duke hedhur dyshime për konflikt interesi. Gjyqtarja vetë nuk iu referua këtyre gjetjeve. Ajo po ashtu nuk foli për analizën finaciare dhe problemet, pasi tha janë teknike dhe se për këtë kishte depozituar një raport nga një financier.
Nga relatimi ndërkohë rezultuan mosdeklarime të kredive, kredi të marra nga gjyqtarja por që pretendoheshin se ishin shlyer nga kunati, por pa prova për këtë, mosdeklarim huash të dhëna dhe mosdeklarim të burimeve të ligjshme të personave me të cilët subjekti kishte pasur marrëdhënie financiare.
Gjyqtarja u justifikua se nuk kishte dokumente dhe se nuk kishte pasur mundësi t’i ruante ato. Ajo tha se një nga personat që i kishte dhënë hua dhe që ia kishte kthyer me interesa kishte qenë pastiçier i njohur në Sarandë dhe se të gjithë “shkonin të hanin ëmbëlsira te Luani”, por tha se nuk kishte arritur ta kontaktonte për të provuar aktivitetin e tij tregtar.
Ngjashëm ajo justifikoi marrëdhënien e të shoqit me ortakun në një restorat. Ajo tha se ortaku i bashkëshortit ishte “guzhinieri më i mirë i peshkut në Sarandë”. Duke cituar informalitetin, Duka tha se 30 mijë euro të ardhura të bashkëshortit nga emigracioni duhej të cilësoheshin të ligjshme, por ajo pranoi se nuk kishte dokumentacion për këtë.
KPK vuri në dukje në relatim se ishte vënë re mungesë të ardhurash për një sërë veprimesh të ndërmarra nga çifti, përfshi paratë e dhëna hua apo blerjet e veprimet e tjera. As fundi i seancës nuk qe i zakonshëm. Duka kërkoi të konfirmohej në detyrë, ndërsa bëri disa pyetje, që nuk u panë si kërkesa proceduriale nga trupa.
Relatorja iu përgjigj Dukës duke theksuar se rolin si hetuese dhe gjykuese të KPK-së ishte i caktuar në Kushtetutë dhe se nuk mund të interpretohej aty, ndërsa po ashtu u vu në dukje se gjyqtarja mund të kishte kërkuar kohë shtesë nëse do kishte pasur nevojë për të siguruar dokumente, por se kjo nuk ishte bërë.
Duka këmbënguli se ajo kishte dhënë “shpirtin në punë” dhe se disa nga gabimet ishin bërë për shkak të mungesës së kohës pasi ajo kishte prioritet punën. Vëzhguesi ndërkombëtar nga ana e tij mbajti qëndrim në seancë.
“Çështja është shumë e qartë, nuk kam pyetje”, tha Jacobs, ndërsa “këshilloi” gjyqtaren të mos këmbëngulte në hetim në kritere të tjera. Duka u përgjigj duke pretenduar se nëse hetohej në dy kriteret e tjera, ajo do të dilte në rregull.