Niko Kuri, mjeku që kërkon besimin e qytetarëve për të përfaqësuar Sarandën në parlament
Partia Socialiste zyrtarizoi mbrëmjen e djeshme listën e kandidatëve për deputet, ku qarku i Vlorës ishte një nga ato që prodhoi mjaft surpriza.
Risia e listës në këtë qark ishte kandidimi i një prej emrave të njohur në zonën e Sarandës, Konispolit, Delvinës e Finiqit, ai i mjekut të njohur Niko Kuri, ndërsa u largua nga lista Alket Hyseni i cili nuk preferoi vendin e caktuar në listë duke iu shmangur dhe një testi se sa realisht ai vlente.
Niko Kuri ka një reputacion të lartë në këto zona, pasi me kontributin e tij si mjek ka fituar simpatinë dhe respektin maksimal të qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama e caktoi Niko Kurin në zonën e sigurtë për të fituar mandatin e deputetit, nr.5.
Por kush është Niko Kuri?
Saranda po përjeton një situatë të vështirë sa i përket pandemisë COVID19 dhe një nga personat që ka kontribuar, ka pasur besimin, dhe iu ka qëndruar pranë pacientëve në këto kohë dramatike është pikërisht doktor Niko Kuri.
Mjeku Pneumolog është cilësuar si një hero dhe krenari e zonës për punën, profesionalizmin dhe ndershmërinë!
Ai ka qenë në shërbim prej gati tre dekadash, ndërkohë nga tetori i vitit 1997 shërben në spitalin bashkiak Sarandë “Petro Nako”, aktualisht Shef i Shërbimit spitalor dhe nëndrejtor teknik.
Së bashku me kolegët e tjerë në Sarandë ata kanë qënë në ballë të luftës anti Covid-19.
Njeri me cilësi të vyera, qytetar shembullor dhe mjek i palodhur që shërben në çdo orë dhe kohë, ditën dhe natën, për çdo pacient, fëmijë apo i moshuar, nga zonat e Sarandës, Delvinës, Konsipolit, Finiqit, Borshit dhe Lukovës, por edhe turistëve shqiptarë dhe të huaj.
Niko Kuri tashmë do të kërkojë besimin e qytetarvë për të përfaqësuar Sarandën në parlament, qytet që prej 16- vitesh nuk ka pasur asnjë deputet nga Saranda, por deputetë të importuar ose nga Tirana ose nga Vlora. /Sarandanews.com/