Tërmet Peçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile thirrje qytetarëve: Aplikoni për kartat e ID. Janë edhe zgjedhjet
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Tërmet Peçi inspektuan të mërkurën zyrën e aplikimit për dokumente identiteti.
Ata ftuan gjithë qytetarët pa apo me dokumente të skaduara, të aplikojnë pa humbur kohë.
ID karta është një mjet i rëndësishëm për të marrë të gjitha shërbimet e nevojshme online dhe fizike, por edhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Çdo shqiptar mund të aplikojë në çdo zyrë aplikimi në Shqipëri, pavarësisht se ku banon. Aplikimi mund të bëhet edhe ditën e shtunë e jashtë orarit zyrtar.
“Përfitoj nga rasti duke qenë edhe me Drejtorin e Përgjithshëm për t’u bërë thirrje të gjithë qytetarëve për të bërë aplikimin për kartat e identitetit atyre personave që iu ka mbaruar afati. Jemi në dispoizicion drejtor, dhe në shërbim. Edhe zyrat e “Aleat” për të gjithë banorët e këtij komuniteti dhe puna jonë do të jetë e vazhdueshme, edhe ditën e shtunë. Edhe jashtë afatit të orarit zyrtar në qoftë se do të ketë fluks dhe kërkesa për aplikime. Dihet rëndësia e kartave të identitetit, por dihet edhe fakti që në datën 25 prill janë edhe zgjedhjet. Kështu që iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë e këtij procesi për t’u pajisur me kartat e identitetit”, u shpreh krybashkiaku Tërmet Peçi.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj tha:
“Faleminderit Kryetar! Sot jemi në Tepelenë, sëbashku me kryetarin e bashkisë, për të ripërsëritur thirrjen e vazhdueshme që Ministria e Brendshme, qeveria shqiptare iu bën të gjithë atyre shtetasve të cilëve iu ka skaduar vlefshmëria e dokumentit biometrik, ID kartës apo pasaportës.
Të rendin të vijnë pranë zyrave tona, duhen vetëm pak minuta për t’u pajisur me dokumentin e ri. Mjafton të jetë dëshira e vullneti. Faleminderit për të gjithë kushtet që keni krijuar, faleminderit për të gjithë personelin që kemi në dispozicion.
Së bashku me kompaninë “Aleat”, zyrat e gjendjes civile por edhe zyrat e aplikimit vazhdojnë të jetë e hapura dhe do të vazhdojnë të rrinë hapur deri më 25 prill, që çdo qytetar të ketë mundësinë për t’u pajisur me dokumentin biometrik. Nuk ka rëndësi vijmë brenda orarit zyrtar, apo jashtë orarit zyrtar ne jemi këtu për t’ju shërbyer. Do jemi këtu dhe do vazhdojmë do jemi edhe ditëve të shtuna. Është shumë e rëndësishme për ne që dokumenti, apo letërnjoftimi elektronik, apo pasaporta biometrike janë të vetmet dokumente që mund të përfitosh edhe shumë shërbime të tjera në institucione publike apo në institucione private.
Gjithashtu kemi krijuar boll lehtësira në aplikim. Një qytetar i njësisë administrative Memaliaj apo Krahës për riaplikim për dokumentin elektronik nuk është nevojshme të aplikojë tek zyra ku ai është banor. Mjafton që ai të ketë kohën, predispozicionin të vijë të aplikojë edhe në zyrën e gjendjes civile këtu. Edhe njëherë faleminderit dhe shpresoj që kjo vizita që bëmë t’ju shërbejë gjithë qytetarëve për t’u sensibilizuar dhe për të ardhur për t’u pajisur me dokumentet e rinj”.