Programi ekonomik i PD, Hariz Mema: Miqtë e mi, do na rritet mirëqënia dhe normaliteti

Kryedemokrati i Sarandës Hariz Mema ka publikuar programin ekonomik të PD-së të shpalosur sot nga Lulzim Basha.

Sipas Memës që ka dyshime ta ketë lexuar dhe kuptuar programin, ai thekson se PD do të rikthejë vendin e shtetin në normalitet, do të rritet mirëqenia e qytetarëve e biznesi do të çlirohet.

“Miqtë e mi,
Programi ekonomik i Partisë Demokratike të Shqipërisë do të rikthejë vendin e shtetin në normalitet, do të rritet mirëqenia e qytetarëve e biznesi do të çlirohet.
Jam i sigurt se i gjithë ky program jetik e i shkëlqyer për të ardhmen e vendit do të zbatohet me përpikmëri nga qeveria Basha mbas 25 Prillit.

1. Do të hapen 110 mijë vende të reja pune përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe thithjen e investime të huaja

2.Rritja e pagës minimale në 36 mijë lekë të reja në muaj, duke krijuar lehtësira për biznesin dhe duke e mbështetur atë

3.Ulje e taksave mbi të ardhurat personale në 9% duke ruajtur fashën ekzistuese mbrojtëse prej 30 mijë lekësh. Taksë 9% e fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milion lekë të reja

4. Ulje e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%.

5.Totali i taksave dhe tarifave vendore të bizneseve të vogla dhe të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros.

6. Anulimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër karburanti. Çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë të vjetra më pak sesa ju kushton sot.

7. Rritje e pensioneve me dyfishin e inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit.

8.Ulje e çmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve.

9.Mbulim i shpenzimeve arsimore për tarifat arsimore për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura më pas 640 mijë lekë të vjetra në muaj.

10.Programe pas shkollore edukative për fëmijët dhe ushqim në shkollë për orët shtesë. Kështu fëmijët do të jenë të sigurt dhe larg rrugëve.

11.Tekste shkollore falas për të gjithë ciklin parauniversitar.

12. Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore 3 mijë lekë të reja në muaj për 5 vitet e para të jetës.

13. Çdo vit, 5000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim. Qeveria do të paguajë 100% interesat bankare për çdo kredi të marrë për një apartament apo banesë.

14. Subvencione për fermerët 100 milion euro në vit dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore apo blegtorale”, shkruan Hariz Mema. /Sarandanews.com/