Deputetja e Tepelenës braktis LSI-në, i bashkohet PS-së. Çuçi: LSI po shkon drejt shkërmoqjes totale
Pas Lefter Kokës, Nasip Naços, Gledion Rehovicës dhe disa përfaqësuesve të tjerë të LSI-së, sot i është bashkuar Partisë Socialiste edhe Ediola Braha në Tepelenë.
Lajmin e bën me dije Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherazi edhe drejtuesi politik i PS-së në qarkun Gjirokastër.
Deputetja e LSI-së që mori mandatin e lënë nga Vangjel Tavo, është shfaqur me Çuçin, Mirela Kumbaron dhe zyrtarë të tjerë të PS-së.
Sipas Çuçit, LSI-ja po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe goditjen finale do ta marrë më 25 prill.
Deklarata e plotë e Çuçit.
Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale.
Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm. Kaq gjë shqiptarët e kanë të qartë dhe do ta dëshmojnë me votë. Partia Socialiste është e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare. Në këto zgjedhje nuk diskutohet thjesht mandati jonë i tretë, por jemi në një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës.
Ata janë e shkuara e rrëmujës dhe e rrënimit që nuk meritojnë më besim. #BashkëMePartinëSocialiste #PërShqipërinëQëDuam