Për rrugën e shembur, 1.6 mln euro/ Kosto për rrugën e Borshit që u shemb
Rreth 200 milionë lekë apo 1.6 milionë euro është kostoja shtesë që do të duhet për të rikonstruktuar rrugën e Borshit, e cila u dëmtua pak ditë më parë duke u bërë pengesë për qarkullimin e mjeteve dhe banorëve.
Është kjo shifra që ka dhënë zv. drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erion Koka, sipas të cilit ky dikaster po kryen të gjitha procedurat e verifikimit të problematikës.
Ky aks u ndërtua në fund të vitit 2011 dhe duhej të mirëmbahej nga kompania “Salilarri”, e cila ka marrë deri më tani 13.7 milionë euro.
“Borsh sapo janë konstatuar shenjat e para ne e kemi marrë në monitorim. Kemi marrë masa të menjëhershme me sinjalistikë provizore për vazhdimësinë e qarkullimit.
Sipas verifikimit të dokumentacionit kjo rrugë është dorëzuar në 2011, pas kësaj është futur në një projekt të BB që ne kemi këtu. Edhe më parë ka pasur rrëshqitje dhe nga firma është vazhduar me mirëmbajtjen e herëpashershme, rikonstruksioni i fundit për paketat asfaltike.
Çedimi që kemi në këtë rast duket se është një rrëshqitje masive prej 100 metra dhe jemi duke bërë llogaritjet, nga ajo që kemi parashikuar do të duhen rreth 150 deri në 200 milionë lekë të reja, mbetet për t’u parë pasi të bëjmë projektin e zbatimit.”