Emergjenca nga reshjet, Çuçi në Gjirokastër: Me mbrojtjen lumore në Kardhiq shmangëm një situatë të rrezikshme
Pas inspektimit në Vlorë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka vijuar takimet në Gjirokastër për të parë nga afër situatën emergjente të krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Bashkë me drejtuesit e pushtetit vendor dhe Policisë së Shtetit, ministri ishte në fshatin Palokastër, i cili për një kohë të gjatë rrezikohej nga vërshimi i Lumit Kardhiq, por me investimin e përfunduar në atë zonë sot kemi një situatë normale.
“Erdha sot që të shihnim bashkë me Kryetarin edhe Perfektin në këtë situatë emergjente, ku me një sasi edhe intensitet shirash të jashtëzakonshëm, për të parë pikërisht këtu në pikën më problematike që ka qenë gjithmonë sa herë binte shi, jo aq sa ka rënë pardje edhe dje, po edhe gjysma e atyre reshjeve. Këtu rruga nuk ekzistonte më dhe vinte lumi e merrte.
Më vjen shumë mirë tani që me investimin e bërë nga Ministria e Bujqësisë, tashmë jo vetëm gjithë pjesa, se është e shtrirë, kjo mbron edhe tokat bujqësore, por edhe pjesa e rrugës këtu nuk ka as pikën më të vogël të kërcënimit për nga përmbytja dhe nga vërshimi i ujërave”, tha ministri Çuçi.
Më tej ai qëndroi në disa pika të tjera të Gjirokastrës dhe Dropullit, ku po kryhen ndërhyrje për normalizimin e rrjetit elektrik të dëmtuar pjesërisht nga moti i keq.
Aktualisht në Gjirokastër nuk ka probleme me lëvizjen në akset rrugore ku pati rrëshqitje dherash.
Ministri Çuçi kërkoi nga drejtuesit vendorë të mbajnë në monitorim të vazhdueshëm situatën edhe në këto ditë pasi sipas parashikimeve priten sërish reshje shiu.