Vlorë-Sarandë, e pakalueshme/ Rruga nacionale që mirëmbante “Salillari” u shemb
U dhanë 128 milionë euro që rrugët nacionale të mos bllokoheshin. Por edhe pse kompania “Salillari” mori 13.7 milionë euro sërish rruga Sarandë-Vlorë u bllokua sepse në borsh ajo është shembur e gjitha.
Policia ngriti postblloqe në rrugë për të lajmëruar shoferët që për të shkuar në Sarandë apo edhe në anën e kundër të Borshit duhet të kalojnë nga Gjirokastra se rruga është bllokuar. Por çfarë lidhje ma kompania “Salillari” me shembjen e rrugës dhe sa përgjegjësi mban ajo.
Në fakt reshjet e fundit nxorën zbuluar punën pa cilësi, ose kontratat e mirëmbajtjes pa asnjë punë në terren të realizuara në vitin 2017 për rrugët. Ish drejtori i ARSH dashamir Xhika lajmëronte në vitin 2017 se ishin zgjedhur kompanitë që do të mirëmbanin 1300 kilometra rrugë nga 4000 kilometra që ka gjithsej.
Në zonën D, që i përket rajonit jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, dhe me vlerë 13.7 milionë euro u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania Elicatechnical Commerce Societa dhe kompania Salillari sh.p.k. Por realisht në terren janë shfaqur vetëm mjetet e kësaj të fundit. Ndarja e vendit në katër rajone për mirëmbajtjen e rrugëve është bërë me asistencën e Bankës Botërore. Kosto e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vite u llogarit në 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore.
Por “Salillar-it” nuk është hera e parë që rrugët për të cilat paguhet, i shemben. Në të dalë të Vlorës pati probleme të cilat kompania zgjodhi ti riparojë pas shumë ankesash gjatë sezonit veror. Ndërsa për disa javë rruga që lidh Gjirokastrën me pjesën tjetër të vendit, rruga e re, u bllokua sepse pësoi shembje. Tani është bllokuar rruga drejt Sarandës për të cilën drejtuesit e ARRSH thonë se duhet të ndërhyjnë për ta riparuar ndërkohë që ngjarje të tilla duhet të ishin parandaluar, sepse për këtë është paguar kompania “Salillari”.