Nikollaq Neranxi: Rama shkoi në SHBA dhe e bëri vaksinën, po unë pse të mos bëjë vaksinën ruse?!
Nikollaq Neranxi ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama në përgjigjen e tij për vaksinën ruse.
“Kryeministri Rama i detyrohet një shpjegim popullit të tij mbi reagimin për vaksinën ruse!
Dëgjova Kryeministrin Rama dy ditë më parë, i cili ofertën e Ambasadës Ruse në Tiranë për të blerë vaksinën e tyre, e quajti provokim dhe qesharak.
Jo vetëm kaq, por pretendoi që t’i kërkonin edhe ndjesë!
Meqë Kryeministri flet në emër të popullit të tij, ai na detyrohet një shpjegim për këtë reagim. Pse duhet të ndjehemi të ofenduar kur një shtet me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike, na ofron vaksinën e prodhuar prej tij? A ka ndonjë studim që e hedh poshtë efektivitetin e saj?
Unë kam lexuar dhe nuk kam gjetur.
Si një qytetar i këtij vendi, i cili nuk do t’ja dijë për konfigurimet dhe interesat gjeopolitike, por dhe financiare të momentit dhe që koronavirusi i kërcënon përditë jetën, reagimi i Kryeministrit m’u duk shumë i pakuptimtë dhe aspak diplomatik!
Personalisht, besoj tek vaksina që kanë shpikur shkencëtarët rusë, ashtu siç kemi besuar tek librat ruse me të cilat unë dhe brezi im u shkolluam dhe dolëm profesionistë shumë të mirë.
Ne si popull nuk na intereson shumë se me cilin shtet duhet ta mbajë mirë qeveria jonë këto kohë, kujt i ka premtuar se do t’i blejë vaksinën dhe me cilin duhet të bëjë si i zemëruar!
Lufta për të shpëtuar jetë, nuk ka lidhje me këto, por me cilësinë e vaksinës që ofrohet dhe ardhjen e saj sa më shpejt në Shqipëri.
Unë do të isha i gatshëm bashkë me familjen dhe stafin tim, ta bënim që nesër vaksinën ruse, për sa kohë nuk kam gjetur një kontestim bindës për të. Derisa Kryeministri ynë e ka gjetur dhe e ka bërë për vete në SHBA kur shkoi, do ishte mirë të na e thoshte edhe ne”, shprehet Neranxi.
Neranxi shton se jeta është mbi të gjitha dhe kur kryeministri e ka bërë për vete vaksinën, ndërsa populli po lëngon, atëhere çdo vaksinë që na e sjellin shpejt, duhet ta bëjmë.
I pyetur se mos merr konatocione politike negative ky status i tij, ai shtoi se “nëse je, fjala vjen, në det dhe po mbytesh e aty afër qëllon një anije ruse, atëhere si t’ja bëj? Të marrë ndihmën e të mos mbytem apo ti them rusit “ik se po pres anijen aleate!”