Ankimohet tenderi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës 2 ditë para mbylljes së garës! Fituesi rrezikon të mos shpallet në janar 2021
Dy ditë përpara se të mbyllej zyrtarisht gara ndërkombëtare për të marrë me Koncesion/ PPP ndërtimin e aeroportit të Vlorës, tenderi është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Një nga 2 kompanitë fituese (Global Technical Mecanics) të koncesionit për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, ka ankimuar tenderin më 21 dhjetor të këtij viti ndërkohë që gara mbyllej zyrtarisht më datë 23 dhjetor pas një shtyrje 9 mujore për shkak të pandemisë.
Ky ankimim do të zgjasë edhe procedurën tenderuese, pasi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk mund të shqyrtojë asnjë nga ofertat e bëra pa u shpallur vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik lidhur me ankimimin.
Praktikisht ky ankimim do të zgjasë në kohë edhe shpalljen e fituesit që ishte parashikuar të bëhej i ditur në mes të muajit janar 2021.
Në ditën e rihapjes së tenderit Ministrja Belinda Balluku tha se pas mbylljes së garës do duheshin dy javë për të shpallur ofertën fituese.
Arsyet e ankimit të tenderit nuk janë bërë të ditura, por shkak mund të jenë bërë kriteret e vendosura në tender.
Gara për këtë projekt u hap në dhjetor të vitit 2019, por si pasoje e pandemisë fituesi nuk u shpall në pranverë të 2020 sic pritej pasi gara u pezullua për tu rihapur në nje moment kur aktiviteti i kompanive ajrore ishte përmirësuar.
Koncesioni do të zgjasë 35 vite ndërsa vlera e projektit është parashikuar të arrij në 88.6 mln euro.