Greqia shtyn deri më 14 dhjetor masat kufizuese anti-Covid, vaksinimi falas
Qeveria greke ka shtyrë afatin e masave kufizuese kundër Covid-19 deri më 14 dhjetor. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas.
Petsas foli për stabilizimin ose zvogëlimin e rasteve, që sidoqoftë, shtoi ai është më i ngadaltë se sa pritej. Ndërsa, sa i përket vaksinimit, sipas tij, do të bëhet në mënyrë vullnetare dhe falas, raportojnë mediat greke.
Siç vuri në dukje ai, 1,018 qendra vaksinimi do të krijohen në të gjithë Greqinë, në mënyrë që të vaksinohen 2,117,440 qytetarë në muaj. Vaksinimi do të fillojë nga punonjësit shëndetësorë dhe do të pasohet nga grupet e rrezikuara mbi 65 vjeç, si dhe ata që kanë sëmundje.
Hapja e dyqaneve sezonale më 7 dhjetor.
Më herët, Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve njoftoi se nga e hëna, 7 dhjetor, do të lejohet funksionimi i bizneseve me pakicë të artikujve thjesht sezonalë të Krishtlindjeve, si dhe shitja e tyre nga supermarketet.
Detajet për oraret e hapjes dhe mënyrën e funksionimit të këtyre dyqaneve do të shpallen nesër, të premte, nga sekretari i përgjithshëm përgjegjës i Tregtisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Panagiotis Stampoulidis.