Kardhiqi, fshati i harruar i jugut ku jetojnë vetëm 2 familje
28 nëntor 2020/ Jonida Qirko/ Porta Vendore/ Gjirokastër
14 kilometra larg qendrës së qytetit të Gjirokastrës ndodhet fshati Kardhiq. Kardhiqi është një nga fshatrat e hershëm në jug të vendit, i cili ka një të shkuar të lavdishme po aq dhe të dhimbshme. Por prej vitesh ky fshat vuan mungesën e investimeve nga pushteti vendor.
Sipas historisë, gjatë periudhës së mesjetës në këtë fshat kishte mbi 1000 shtëpi, rreth 18 lagje të banuara. Kardhiqi ishte një qendër e rëndësishme në të cilën kishte njësi shëndetësore e shkolla. Por të gjitha këto pushuan së ekzistuari kur Ali Pashë Tepelena hyri në fshat dhe ekzekutoi 700 burra, ndërsa flakët përfshinë banesat apo institucionet që ishin në funksion.
Prej asaj kohe Kardhiqi “u zhvesh” nga madhështia që posedonte duke u kthyer në një zonë të shkretë, me godinat e braktisura , gërmadhat që tregonin në heshtje fatkeqësinë që u kishte ndodhur. Të njëjtën pamje e gjejmë dhe sot.
Të shkosh në të ashtuquajturën “Qafa e Kardhiqit” të duhet një automjet i lartë për të përballuar udhëtimin në rrugën që gjarpëron kodrës, e cila është e ngushtë dhe krejtësisht e amortizuar ose në të kundërt të duhet të ngjitesh në këmbë. Sot në këtë fshat jetojnë vetëm dy familje.
Në pikën më të lartë të fshatit ndodhet familja e Ahmet dhe Fanie Shehut. Një çift të moshuarish, të cilët kanë zgjedhur të mos e braktisin fshatin, jo vetëm nga dashuria që ata kanë për vendin e tyre, por edhe për shkak të pamundësisë ekonomike për të bërë një jetë të mirë në qytet.
Ahmeti na tregon për fshatin, historinë si një nga të vetmit banorë, që i ka rezistuar tundimit për të emigruar.
“Fshati ka histori, ka natyrën, ka kulturën. Është fatkeqësi për të që ndodhet në këtë gjendje. Nga 1000 familje që ka pasur, sot këtu jam unë dhe vëllai im. Ai më shumë rri në qytet se sa këtu pasi ka dhe punën. Jetesa është shumë e vështirë. Vetëm me bujqësi dhe blegtori merremi. Më duhet të shes bagëtitë në mars, kur është koha për të jetuar me ato lekë gjithë vitin. Fëmijët janë larguar nga fshati pasi këtu nuk kishin të ardhme”, tregon për Portën Vendore i moshuari.
Ahmeti na tregon se këtë verë tek kafshët e imëta ka rënë sëmundja e “Gjuhës Blu”, duke i shkaktuar dëme të shumta, pasi prej blegtorisë kjo familje siguron të ardhurat.
“Gjuha blu, kështu e quajmë ne këtë sëmundje. I çojmë bagëtitë për të kullotur dhe nuk arrijnë të na kthehen më. Ngordhin rrugës, herë i gjejmë herë jo. Veterineri e ka të vështirë të vijë këtu, por unë dua të bëhet me patjetër diçka. Ato janë i vetmi burim të ardhurash, pa ato ne nuk mbijetojmë”, vijon ai.
Prej dekadash, problem për banorët është edhe amortizimi i rrugës.
“Ju e patë vetë është e pamundur të vihet deri këtu. Ne në qytet shkojmë shumë rrallë. Jemi pothuajse të izoluar. Askush nuk ka investuar për rrugën. Kanë ardhur e kanë parë, kanë sjellë një skrep para ca vitesh e ka niveluar, por dimri, koha e keqe ka bërë të vetën. Për të shkuar deri poshtë në autostradë ne vemi me këmbë ose me kuaj”, thotë Ahmeti.
Ndërsa e shoqja e Ahmetit rrëfen për eksperiencën e hidhur që ka pasur në një emergjencë shëndetësore.
“U sëmura para disa kohësh, ishte pasdite. Lajmëruam ambulancën, por e kishte të pamundur të arrinte këtu. Më mori bashkëshorti me batanije në krahë, i kemi dalë ambulancës poshtë”, rrëfen Fanie Shehu për Portën Vendore.
Ndërkohë, në qendrën e fshatit ndodhet shkolla, e cila dikur kishte pesë klasa me nga 20 nxënës, ndërsa sot qëndron e heshtur, e lënë në harresë.
Pak më tej, në të majtë të saj ndodhet kalaja e Kardhiqit, e cila daton rreth shekullit XIV-XV.
Kalaja gjendet brenda luginës, e cila ka formën e një pesëkëndëshi me sipërfaqe 0,2 hektarë. Muret e saj rreth 1.3 metra të gjerë, janë ndërtuar me gurë të vegjël të papunuar, të vendosur në mënyrë të ç’rregullt e përforcuar në çdo metër lartësi.
Lidhur me këtë kala ka shumë gojëdhëna njërën prej së cilave na i rrëfen banori Ahmet Shehu.
“Sipas stërgjysheve tona, me të dëgjuar e kemi, thuhet se në këtë kala që sot është në këtë gjendje, ka pas qenë çoku i kambanës flori 22 okë, i cili kur binte dëgjohej në të gjithë zonën nga Hormova deri këtu. Kur kambana binte, sipas gojëdhënave të të parëve, xhamat e shtëpive thyheshin ndërsa gratë shtatzëna dështonin. Për këtë u ndërrua çoku nga 22 okë në 18 okë. Kardhiqi ka histori, por vetëm ajo i ka mbetur. Në këtë kala vijnë dhe turistë, kanë ardhur me makina të mira, por për shkak të rrugës janë detyruar ta bëjnë me këmbë, kemi qenë vetë ne, unë dhe gruaja që i kemi shoqëruar. Por për faktin se ne nuk dimë gjuhë të huaj, nuk kemi arritur të merremi vesh. Duhet të investohet nga qeveria, ministria për të mos lejuar që të humbasin këto vlera. Po na humbet trashëgimia, ky fshat është zbrazur, është harruar, po humbet nga harta. Kush do e mbajë gjallë, vetëm ne jemi, na qan shpirti për njerëz, për komshinj. Kur vjen puna te braktisja, thonë veriu-veriu. Ky është veriu i vërtetë i Shqipërisë. Çfarë do tu themi brezave që do të vijnë?! Është mëkat i madh të humbasin fshatrat kështu”, përfundon Ahmeti .
Malli për njerëzit, për jetën e dikurshme duket qartë në sytë e tij. Të varfër, të vetmuar dhe të harruar, ata shpresojnë se ndoshta një ditë gjërat do të ndryshojnë.
Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë së Gjirokastrës për të mësuar më shumë se çfarë do të bëhet me këtë fshat dhe problematikat që ka. Nënkryetari i Bashkisë z.Ylli Muho u shpreh se: “Në kuadrin e këtyre aseteve të Gjirokastrës që ka bashkia, do të trajtohet, duke qenë se aty është Kalaja e Kardhiqit . Për vitin 2021 do të futet në këto projektet e vogla të bashkisë. Do të bëhet diçka për rrugën dhe për kalanë. Për momentin kemi nivelimin e rrugës me skrep për ta bërë të aksesueshme nga makinat e banorëve, e atyre pak banorë që kanë ngelur .E rëndësishme aty është kalaja, por edhe ato dy familje që janë, normal që meritojnë shërbime”, tha ai.
Ndonëse i braktisur, Kardhiqi sërish qëndron hijerëndë, i papërkulur duke pritur në heshtje mrekullinë që do t’i rikthente atij shkëlqimin e dikurshëm e mbi të gjitha njerëzit që ky fshat të frymojë lirshëm.