Dyshohet se kanosi 26 vjeçarin më pas qëlloi me armë në ajër, zbardhet ngjarja e mbrëmshme në Vlorë
Policia ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme në Vlorë, ku u raportua për të shtëna më armë.
Uniformat blu njoftojnë se është arrestuar E.Ç., 26 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur Triport, dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarrri pistoletë në ajër, për të kanosur shtetasin F.Z., 26 vjeç, banues në Vlorë.
26-vjeçari u arrestua menjëherë nga policia, ndërsa F. Z, në përfundim të veprimeve të para hetimore është lënë i lirë, pasi u shoqërua mbrëmë për të dhënë detaje mbi ngjarjen.
Ndërkaq, E.Ç, akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme ku një shtetas ka qëlluar me armë zjarri në ajër, njoftojmë se në përfundim të veprimeve të para proceduariale Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit E.Ç., 26 vjeç, banues në lagjen 28 Nëntori, Vlorë.
Ky shtetas më datë 25.10.2020, mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur Triport, dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në ajër, për të kanosur shtetasin F.Z., 26 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në kohë rekord falë ndërhyrjes së menjëhershme të policisë kufitare të Triportit dhe Patrullave të Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Shtetasi F. Z, në përfundim të veprimeve të para hetimore është lënë i lirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit E.Ç, për veprat penale “Kanosja”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.