Belinda Balluku: Aeroporti i Sarandës do jetë vetëm sezonal, ai i Vlorës do jetë aeroporti kryesor i Shqipërisë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e pranishme në studion e “Ilva Now”, komentoi projektet ndërtuese për aeroportet e vendit. Ajo theksoi se qeveria shqiptare synon ta kthejë Aeroportin e Vlorës në aeroportin kryesor të Shqipërisë.
“Në Vlorën synojmë ta kthejmë në aeroportin kryesor të Republikës së Shqipërisë. Vlora do të ndërtohet me gjatësi tjetër piste. Tirana dhe Vlora do të jenë në garë me tyre, dhe kjo do të sjellë shërbime më të mira. Padyshim të gjitha këto që shkojnë në benefit të qytetarëve”, tha ajo.
Ajo gjithashtu u ndal edhe tek aeroporti i Kukësit, që sipas Ballukut është konceptuar që të shërbejë si aeroport rajonal, përfitues i të cilit do jenë jo vetëm kuksianët që ndodhen në emigracion, por edhe qytetarët nga Kosova. Më tej, znj, Balluku shtoi se aeroporti i Sarandës është menduar të jetë një aeroport sezonal, që në thelb do ti shërbejë sektorit të turizmit.
“Aeroporti i Kukësit është aeroport rajonal, nuk ndërtohet vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, sepse me të vërtetë është Prishtina, por banorët e Ferizajt kanë më afër Kukësin.Është një aeroport për nevojat e asaj zone.
Nëse ajo zonë ka emigracion, ato destinacione do të mbulojë. Aeroporti i Sarandës është aeroport sezonal që do të akomodojë nevojat e fluturimeve të posaçme, dhe flurimet do të jenë nga Prilli deri në tetor. Janë bërë të gjitha me studime”, shtoi ajo.