A do mbahet premtimi për ndërtimin e aeroportit të Sarandës?
Rikthehen në lojë premtimet për aeroportet. Në asamblenë e Partisë Socialiste, zhvilluar pak ditë më parë, kryeministri Rama do të deklaronte se në mandatin e tretë do të vinte në funksionim tri aeroporte lokale: Kukësin, Vlorën dhe Sarandën.
Por kjo nuk është hera e parë që kryeministri bën premtime për aeroporte. Historia ka nisur fillimisht në vitin 2015, në periudhën e zgjedhjeve lokale. Ishte hera e parë kur socialistet premtuan publikisht aeroportin e Vlorës, të Sarandës dhe vënien në funksionim të aeroportit të Kukësit, një pistë ajrore e ndërtuar që në 2006 nga Emirate e Bashkuara, por që deri më sot nuk ka parë asnjë fluturim dhe nuk ka as pajisjet e nevojshme për të kryer fluturime.
Në vitin 2015, qeveria nis negociatat me koncensionarin e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza, për t’i hequr ekskluzivitetin, çka do të mundësonte fluturimet nga pistat e tjera. Dhënia e kësaj leje u bë kundrejt zgjatjes së afatit të kontratës së koncensionarit me 5 vjet të tjera.
Në këtë kohë, kryeministri do t’i mëshonte ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Në shkurt 2017, ai do të takohej me presidentin turk Erdogan duke treguar për shfaqjen e interesit nga konsorciumi turk që kishte realizuar edhe aeroportin e ri të Stambollit. Por pas thuajse dy vitesh negociatat dështuan dhe projekti i aeroportit të Vlorës iu drejtua procedurave të tenderimit ndërkombëtar.
Gara për Vlorën u hap në dhjetor 2019 dhe sot duhet të ishte në fazën e nisjes së punimeve. Por pandemia apo mungesa e interesit nga investitorët potencialë detyruan shtyrjen e tenderit.
Sot, qeveria vazhdon t’i qëndrojë premtimeve të saj për ndërtimin e tri aeroporteve brenda vendit. Teksa faktet tregojnë thuajse 15 vjet nga inaugurimi i parë i aeroportit të Kukësit dhe 5 vjet pas heqjes së ekskluzivitetit të aeroportit të Rinasit, ende asnjë avion nuk është ngritur përveçse nga pista e këtij të fundit. (A2)