Idajet Duka, zëri që ruan dhe kultivon polifoninë tonë magjike
Kënga polifonike është krenari shqiptare që ruhet, kultivohet dhe përcillet ndër breza nga njerëz me talent dhe pasion.
Virtuozi IDAJET DUKA qysh në moshën 11 vjeç ka filluar të këndojë këngë labe në skenën e Delvinës.
Në moshën 18 vjeçare krijoi grupin “Të rinjtë e Delvinës” dhe në 10 prill të vitit 1993 krijon, së bashku me shokët, Grupin “Kaonët e Delvinës”, duke na mbushur përherë me emocion me kengët e bukura të trevës sonë kaone, si dhe perlat e polifonisë labe apo toske të trevave të tjera.
I vlerësuar me Titullin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës, me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”, nga Këshilli i Qarkut, si dhe plot tituj, çertifikata e vlerësime të tjera.
Mbi katër dekada përkushtuar këngës dhe traditës, pjesmarrës në aktivitete folklorike lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke çuar peshë zemrat e bashkatdhetarëve tanë në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Greqi apo Francë.
Idajeti, apo Ajeti sikurse e njohin të gjithë, me zërin melodioz, shpirtin artistik dhe përkushtimin e tij, na bën krenar për origjinën tonë të lashtë, ruan dhe kultivon polifoninë tonë magjike, si këngë të zotave të maleve krenare nga Sopoti dhe Çika, nga Këndrevica e Trebeshina deri në Tomor e Gramoz.