Kodi Zgjedhor/ Ku i gjeti mazhoranca votat? Hyseni: Na ndihmoi opozita jashtëparlamentare
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me 97 vota pro erdhi edhe falë kontributit të opozitës jashtëparlamentare.
“Votat u gjetën falë opozitës, asaj në Parlament dhe kontributit të opozitës jashtëparlamentare, që nëpërmjet linjave të tyre të kontaktit negociuan me një pjesë të përfaqësuesve të opozitës parlamentare për t’u bërë pjesë e ndryshimeve të Kodit.
Ky është realiteti, i vjen ëmbël apo hidhur dikujt. Opozita ndihmoi në këtë proces që është i rëndësishëm për shumicën dërrmuese të shqiptarëve”, tha Hyseni.
Kur u pyet mbi reagimin e Ambasadës Amerikane, që u shpreh se “është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik”, Hyseni tha: “Ne do të dëshironim që të kalonte me 122 deputetë dhe të kishte dakordësi publike nga të gjithë aktorët. Pavarësisht përpjekjeve tona, nuk u arrit që nga Këshilli Politik të ishte krijuar konsensusi i nevojshëm.
Ambasada deklaroi se nuk kemi të bëjmë me shkelje të Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe në këtë këndvështrim nuk kam çfarë i heq kësaj deklarate. Këshilli Politik u krijua për dialog, por nuk mund të zëvendësojë Kuvendin dhe nuk mund të vendosë ai pengesa në rrugëtimin e këtij vendi drejt integrimit në BE.
Do të ishte ideale që të realizohej konsensusi në Këshillin Politik, por u ezauruan përpjekjet e mazhorancës për të thithur konsensusin maksimal të mundshëm. Nuk mund të eksperimentojmë me Kushtetutën dhe me votën që na ka besuar elektorati shqiptar”.