Kapen me 48 kg drogë dhe arsenal armësh/ Policia arreston 2 persona në Himarë, mbillnin drogë në parcelat e fshatit Kuç
HIMARË– Policia e Vlorës ka arrestuar 2 persona, E. F., 19 vjeç dhe I. G., 26 vjeç. Uniformat blu bëjnë me dije se se të dy personat akuzohen se kanë kultivuar drogë në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë. Policia u ka sekuestruar 48 kg kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, municion luftarak, dylbi pushke dhe dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Çepraku”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”.
Sekuestrohen rreth 48 kg kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, municion luftarak, dylbi pushke dhe dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë.
Vihen në pranga 2 shtetas, posedues të armëve të zjarrit e lëndës narkotike dhe autorë të dyshuar të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatin Kuç, dy persona posedonin lëndë narkotike, armë zjarri, si dhe kishin kultivuar bimë narkotike, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Çepraku”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
E. F., 19 vjeç dhe I. G., 26 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.
Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e fshatit Kuç, Njësia Administrative Horrë-Vranisht, bashkia Himarë, në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta”, dy armë gjahu të cilat i mbanin pa leje, municion luftarak, një dylbi pushke, një gjerdan brezi me fishekë për armë gjahu dhe dy radio marrëse-dhënëse.
Po gjatë operacionit, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.